“Martesa fetare pas asaj ligjore”/ Myftiu i Tiranës, Lauren Luli sqaron martesat në fenë islame

28/01/2024 13:13

Mjeku 42 vjeçar, Dervish Hasi, praktikant i fesë islame, dyshohet se ka shfrytëzuar prej 2 vitesh një të mitur tashmë 16 vjeçe, me premtimin se do ta bënte  gruan e tij të katërt.

Por institucionet fetare shpjegojnë se ashtu si dhe ligji i cili njeh vetëm një martesë zyrtare, edhe feja islame nuk i kryen martesat pa u bërë fillimisht në gjendjen civile.

Islami ka vendosur disa parime që duhen ndjekur në mënyrë tepër serioze në mënyrë që ne të arrijmë në një martesë të shëndetshme. Fillimisht duhet të jetë pëlqimi i dy individëve, më pas duhen ndjekur të gjitha procedurat e tjera zyrtare sepse pa u ndjekur këto nuk mund të kemi më pas një institucion një mbron të drejtat e tyre. Ne si institucion kategorikisht nuk pranojmë që të bëjmë martesa fetare pa u bërë ajo në gjendje civile.”- shprehet Myfti i Tiranës, Lauren Luli.

Martesa mes dy individëve duhet të bëhet në moshë madhore, në mënyrë që të dy të kenë arritur pjekurinë për të marr një vendim të tillë të rëndësishëm.

“Parimi bazë që vendos edhe feja është që këtë institucion mund ta ngrenë dy individë që kanë moshë madhore dhe janë të aftë nga të gjitha anët me të gjitha elementët e duhur, individë që janë të aftë të hedhin hapa të tillë. Nuk mund të bëhet fjalë për një institucion kaq të rëndësishëm sic është martesa, të përbërë nga individë të papërgjegjshëm, individë të papjekur nga pikëpmaja karakteriale dhe në moshë të vogël. Njerëz që akoma nuk dinë dhe nuk perceptojnë dot përgjegjësinë dhe rëndësinë e këtij institucioni”.

Edhe psikologët shpjegojnë se individët në moshë të mitur, nuk kanë kanë arritur formimin e duhur ndaj nuk mund të konceptojnë siç duhet situatat apo marrëdhëniet në çift.

“Zhvillimi i një individi si nga pikëpamja fizike ashtu dhe psikologjike janë të lidhura me njëra tjetrën. Është një individ i pa formuar mirë. Mos harrojmë që martesat e hershme shoqërohen edhe me lindje të hershme, dhe aq më tepër që ka të bëjë me atë që ne i themi pamjaftueshmëria e saj për të kuptuar veten e saj në atë që ne e quajmë marrëdhënie në çift”-shprehet psikologja Arjana Muca.

Martesat e hershme në shoqëri vijnë dhe si pasojë e edukimit dhe shkollimit të një familjeje, gjendjes ekonomike apo dhe të një tradite brenda familjes që shkon ndër breza për ti martuar kryesisht vajzat që në moshë të vogël.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA