“Erdhi dhe shkëlqeu!”/ Producentja e spektaklit të bukurisë i jep lamtumirën miss-it 18 vjeçar nga Kavaja që vdiq nga zemra: Krijoi ura miqësie mes konkurrenteve

28/01/2024 07:40

Miq dhe familjarë i kanë dhënë ditën e djeshme lamtumirën Lorenës, gjimnazistes nga Kavaja që u nda nga jeta pas një ataku kardiak, teksa kishte nisur të ëndërronte dhe ndërtonte jetën larg dhembjes, periferisë dhe më pranë ndriçimit vezullues të qendrës së qytetit, dashurisë dhe pasarelave.

Producentja e spektaklit të bukurisë në Kavajë, Myzejen Konduri ka deklaruar se Lorena me natyrën e saj timide diti të krijonte ura miqësie mes konkurrentëve.

Lorena me krahët e dëshirës erdhi dhe ashtu shkëlqeu. Ishte një vajzë me një trup lastar, ashtu timide, me mirësi dhe që diti të krijojë urat e miqësisë mes konkurrentëve”- tha Konduri.

“La një gjurmë që nuk do të fshihet kurrë në jetën e gjithsecilit që pati fatin ta njihte atë person”- u shpreh një prej mikeshave të Lorenës.

“U ndjeva shumë keq sepse kam kaluar një periudhë shumë të mirë me të”- tha një tjetër model.

“Ka lënë shumë kujtime të bukura te unë, por edhe anëtarët e tjerë të miss Kavaja”- tha një tjetër modele.

Ataku kardiak i mori jetën të resë ndërsa po i gëzohej fejesës që kishte kurorëzuar së fundmi me djalin që donte, si dhe titullit “Top Model” të marrë në spektaklin e bukurisë “Miss & Mr. Kavaja” fundvitin e kaluar.

Nuk e kishte mbyllur ende plagën që i kishte hapur vdekja e parakohshme e motrës më të vogël dhe as çrregullimin kardiak që i rrinte mbi kokë si shpata e demokleut, por jeta po i buzëqeshte. Deri mëngjesin fatal të 25 janarit kur zemra e saj pësoi goditjen fatale, duke hapur një plagë të re në familjen Bërdufi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA