Një tendencë në rritje e fëmijëve dhe e vajzave të vogla për të përdorur produkte të kujdesit të lëkurës, në shumë raste duke imituar të rriturit ose reklamat online dhe televizive, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme, paralajmëron së fundmi Shoqata e Dermatologëve në Britani.
Gjithnjë e më shumë fëmijët po u kërkojnë prindërve të tyre produkte luksi që reklamohen nga “influencuesit” që ata ndjekin në platforma si YouTube e TikTok.
Por shumë prej tyre përmbajnë ingredientë të dëmshëm dhe janë vetëm për të rritur, siç janë përbërësit me acide që shkaktojnë allegji ose ekzema të lëkurës.
Tetë vjeçarja Sadie thotë për rrjetin BBC sesi influencueset në TikTok, tregojnë “sesa të mira janë ato për lëkurën”, pa e ditur se ato paguhen për reklamat e tyre.
Por shumë produkte të tilla kushtojnë më shumë se 60 paundë dhe përmbajnë acide ‘eksfoliatorë’, si hidroksi-acide alfa e beta dhe derivativin e vitaminës A, retinol, thone ekspertet.
Reklamat e produkteve estetike nuk janë të kontrolluara në rrjetet sociale dhe tërheqin mijëra vajza apo fëmijë të paditur.
Sadie thotë se “i lutej” nënës së saj Lucy, për t’ia blerë ato dhe kur ajo refuzonte, i lutej anëtarëve të tjerë të familjes.
Por më pas produktet e bënë lëkurën e Sadie të kuqe dhe të irrituar, sa që prindërit duhet të ndalonin përdorimin dhe shikimin e Tik-Tok per te bijen.
Dermatologia pedriatike Dr Tess McPherson tha se është e rëndësishme që fëmijët të marrin informacion dhe jo dezinformacion në rrjetet që ndjekin, sidomos me reklamat komerciale, shpesh abuzive, që janë të kudondodhura në rrjet.
“Disa nga këto produkte mund të jenë të përshtatshme për lëkurë më të vjetër, por jo për fëmijë, ato mund të shkaktojnë irritim dhe probleme më serioze te fëmijët”, thotë mjekja për BBC News.
Dr McPherson tha se është shqetësues dhe mënyra e paketimit të tyre me ngjyra të ndezura e tërheqëse që i bën të duken të përshtatshme për fëmijët.
“Këto reklamohen si produkte ‘fuqizimi’ por në fakt shfrytëzojnë dobësitë e të miturve dhe të personave. Nuk është nevoja të shpenzohen para për këto produkte që reklamojnë ‘lëkurën perfekte’ pasi lëkura perfektë nuk ekziston, është vetëm një sajesë marketingu”.
BBC tha se kishte kërkuar informacion mbi shpërndarjen te fëmijët nga rrjetet kryesore të shitjes, shumë prej të cilave zotoheshin të kryenin “trajnime shtesë dhe informacion për klientët më të rinj dhe prindërit e tyre”.//BBC/
Top Channel