Largimi i Vesës nga kazerma, ku vëllai i madh “izoloi” banorët që kishin thyer rregullat, ka ndezur debat mes banorëve.
Gjatë kësaj jave banorja e Big Brother VIP ka shprehur mërzinë e saj për mënyrën se si personat e tjerë që e ndihmuan të largohej tashmë që u dënua me nominim, nuk janë në krah të saj.
Për debatet e ndodhura gjatë këtyre ditëve, në spektaklin e sotëm Vesa u shpreh se nuk donte t’i bënte banorët të ndiheshin keq, por priste mbështetje.
“Nuk e kam përjetuar mirë, ditën e parë qëndrova në heshtje që të mos lëndoja ata që ishin tek kazerma. Ndoshta dhe si paranojë, m’u mblodhën të gjitha dhe i mblodha që të flisja por nuk doli si doja. U mblodhën të gjithë banorët dhe u krijua një energji negative. Kisha plan të flisja me të gjithë vetëm, por nuk më lejuan. Nuk doja t’i bëja të ndiheshin keq. Ka qenë vetëm për atë që këta kanë bërë me mua pasi dolëm, që nga loja me epitetet”, tha ajo.
Ndërkohë gjatë kësaj kohe ka ndërhyrë edhe Meritoni, banori me të cilin Vesa ka debatuar më së shumti gjatë javës.
“Vesa e ndryshoi mendimin pasi doli jashtë, ajo mendoi se ne e braktisëm. Por ne e kemi thënë që do e mbështesim. Që nga Rikja edhe unë e thashë që nëse vjen zarf i zi, do isha i pari që do dilja. Jo vetëm Romeo. Mua më pengoi fakti që në momentin që Vesa vazhdoi të nesërmen të fliste në cepat e shtëpisë, mendova që e humbi heroinë që e bëri për ekipin. Shumë banorë po përfitojnë nga situata e kazermës, disa që nuk ishin fare aty brenda”, tha Meritoni.
Meritoni u shpreh më tej se ka persona që po përfitojnë nga situata në të cilën ndodhet Vesa dhe më pas nuk përmendi emra në momentin që moderatori Ledion Liço i kërkoi.
Pavarësisht insistimit të Liços, banori nuk ka pranuar të japë emra konkretë duke lënë pa përfunduar deklaratën.
“Nuk mund ta bësh si tek emisioni jot. Kur e nis një gjë këtu përfundoje. Nëse e thua diçka çoje deri në fund ose mbaje për vete”, u shpreh moderatori gjatë debatit me Meritonin.
Top Channel