Gjermani, protesta gjigante kundër planit për dëbimin e të huajve!

27/01/2024 13:07

Gjermanët nuk ndalen; që në momentin që u mësua për planin e fshehtë të AfD-së për dëbimin e të huajve nëse partia e ekstremit të djathtë arrin të marrë pushtetin, njerëzit kanë vërshuar nëpër rrugë për të ngritur zërin kundër një lëvizjeje të tillë.

Në protesta deri tani, kanë marrë pjesë rreth 1 milion vetë: ministria e Brendshme foli për 900.000, organizatorët për 1,4 milionë vetë. Këto po cilësohen si protestat më të mëdha në historinë e Gjermanisë, pas atyre kundër luftës së Vietnamit dhe lëvizjes qytetare në RDGJ. Në disa qytete, si në Mynih dhe në Hamburg, organizatorët u detyruan madje t’i ndërpresin demonstratat për shkak të mbingarkimit të qyteteve nga numri i jashtëzakonshëm i njerëzve. Në Berlin kundër AfD-së demonstruan 350.000 vetë, në Mynih demonstruan 250.000 vetë; në Hamburg 160.000 vetë; 70.000 vetë demonstruan në Këln; 60.000 në Leipzig; 50.000 vetë në Dresden.

Shkak për nisjen e protestave masive u bë zbulimi nga gazetarë investigativë të institutit kërkimor “Correctiv”, se anëtarë të AfD ishin takuar në 25 nëntor në Potsdam, për të diskutuar një plan “riemigrimi”, po të vijë në pushtet AfD në Gjermani. Ekstremisti i djathtë austriak, Martin Sellner, propozoi në atë takim të fshehtë një plan me të cilin “të kthehej mbrapsht, vendosja e të huajve” në Gjermani. Me të huaj, ai kuptonte azilkërkuesit, persona me leje qëndrimi në Gjermani, por edhe shtetas gjermanë “të paasimiluar” me origjinë të huaj.

Të gjithë këta do të dëboheshin në një “shtet model” në Afrikën e Veriut. Procesin ekstremistët e quajtën “riemigrim” , një ide kjo sipas mediave gjermane analoge me atë të nazistëve, të cilët kishin zgjedhur ishullin e Madagaskarit, si vend deportimi për personat e padëshiruar.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA