Me rastin e 101-vjetorit të themelimit të institucionit të Shërbimit Pyjor, në zonën e Shëngjergjit në kryeqytet u mbollën 10 mijë fidanëve akacie në një sipërfaqe prej 4 hektarë.
Aksionit iu bashkua sot dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Teksa shoh kontrastin e 50 mijë fidanëve, ku 10 mijë po i mbjellim sot, të tjerat në vijim, me atë që shohim përballë, është në fakt pasqyra ku duhet të shikojmë veten. Të shikojmë veten si shoqëri dhe të kuptojmë që i kemi bërë natyrës atë që nuk i bëhet hasmit. I kemi prerë vetë pyjet, i kemi rrënuar lumenjtë, i kemi gërryer kodrat. Në këtë sens, po ne vetë do duhet t’i kthejmë natyrës, vendit, shoqërisë, atdheut këtë borxh”.
Veliaj komentoi nismën e Bashkisë Tiranës për mbjelljen e pemëve të reja.
“Duket komplet pa sens edhe debati që patëm këtë vit sa pemë u mbollën, u mbollën 900 mijë apo 1 milion e 100 mijë. Po të rrish tërë ditën në kolltuk dhe të jesh analist nga krevati, dhe të rrish tërë ditën në rrjetet sociale, nuk mbillen pemët. Ne e kemi fuqinë të transformohemi, kemi fuqinë të mendojmë ndryshe dhe kemi fuqinë të bëhemi europianë edhe pa hyrë zyrtarisht në Bashkimin Europian”.
Po ashtu, kryebashkiaku tha se studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, do të kenë mundësi që të kryejnë praktikat mësimore në Kopshtin Botanik.
“Më vjen mirë që do fillojmë punën së bashku edhe për Kopshtin Botanik. Të njëjtën gjë kemi bërë me studentët dhe me Fakultetet në UBT, edhe për kopshtin Zoologjik. Dua që të bëjmë të njëjtën gjë bashkë me Shkencat e Natyrës dhe me UBT për kopshtin Botanik dhe duhet të kthehet e gjitha në një hapësirë që është e aksesueshme edhe për qytetarët, por edhe për studentët për të bërë eksperimente, për të pasur atë punën prodhuese, për të bërë praktikat e tyre”.
Data 27 Janar e vitit 1923 është dita e dekretimit të Ligjit të parë shqiptar “Për pylltarinë shqiptare” dhe sot përkujtohet si Dita e Shërbimit Pyjor Shqiptar.
Top Channel