Putin thotë se Kievi e dinte se avioni i rrëzuar mbante ukrainas rob lufte

26/01/2024 19:31

Presidenti rus Vladimir Putin fajësonte sot Ukrainën për rrëzimin e avionit transportues ushtarak IL-76 në fillim të javës dhe pretendonte se Ukraina e dinte se ai transportonte të burgosur lufte nga Ukraina.

Moska thotë se avioni po fluturonte në rajonin kufitar Belgorod para një këmbimi të dakordësuar të burgosurish të mërkurën, kur u godit nga një raketë anti-ajrore.

Zyrtarët rusë shtonin se në bord kishte 65 ukrainas të burgosur lufte.

Ukraina nuk ka konfirmuar dhe as mohuar përfshirjen e saj në incident por zyrtarët kanë hedhur dyshime nëse avioni kishte të burgosur ukrainas në bord.

“Nuk e di nëse ata e rrëzuan qëlllimisht apo pa e menduar, por është e qartë se ata e dinin”, tha sot Putin në një akademi ushtarake për incidentin e rëndë.

Ai shtonte se Ukraina e dinte se Rusia do të transportonte të burgosur në kohën e rrëzimit, një akuzë që Kievi e ka mohuar ashpër.

“Inteligjenca ushtarake e Ukrainës e dinte se po transportonim 65 ushtarakë me atë avion. Dhe duke e ditur këtë ata e goditën. Sido që të jetë, ky është një krim”, shtoi ai.

Si Kievi e Moska kanë hapur hetime kriminale mbi ngjarjen, teksa presidenti ukrainas Volodimyr Zelenski ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar.

Ukraina ka konfirmuar se duhet të ndodhte një këmbim të burgosurish por nuk i ishte thënë se të burgosurit do të silleshin me avion, shkruan rrjeti francez AFP.

FOTO GALERI
1/3
Putin fajësonte sot Ukrainën për rrëzimin e avionit transportues ushtarak IL-76 në fillim të javës dhe pretendonte se Ukraina e dinte se ai transportonte të burgosur lufte.

Top Channel