OKB-ja, BE-ja dhe aktivistët kundër dënimit me vdekje kanë dënuar ekzekutimin e parë të një të burgosuri duke përdorur gaz azot.
Kenneth Eugene Smith u dënua me vdekje mbrëmjen e kaluar në një burg shtetëror në Alabama të SHBA-së, pasi u akuzua për vrasjen e gruas së një predikuesi në vitin 1989.
Procesi i ekzekutimit filloi në orën 19:53 me orën lokale dhe Smith u shpall i vdekur rreth gjysmë ore më vonë në orën 20:25 .
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha se shqetësimet janë serioze për metodën e re të mbytjes nga gazi azotik që sipas BBC mund të çojë në torturë, trajtim mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.
Në një deklaratë, zyrtarët e BE-së e quajtën gazin azotik një dënim mizor dhe të pazakontë.
Thithja e gazit të pastër të azotit ndërpret furnizimin me oksigjen në tru. Procedura nuk ishte përdorur kurrë më parë në një ekzekutim, sipas Qendrës së Informacionit të Dënimit me Vdekje.
Zyrtarët e Alabamës njoftuan paraprakisht se prisnin që Smith të humbiste vetëdijen brenda sekondave dhe të vdiste brenda pak minutash.
Në një konferencë për shtyp ditën e sotme, Prokurori i Përgjithshëm i Alabamës, Steve Marshall tha se ai priste që metoda të përdoret në të ardhmen dhe nga shtetet e tjera. Oklahoma dhe Mississippi kanë autorizuar gjithashtu gaz azot për ekzekutime.
“Megjithë përpjekjet ndërkombëtare të aktivistëve për të minuar dhe përçmuar sistemin e drejtësisë së shtetit tonë dhe për të mohuar drejtësinë për viktimat e vrasjeve të tmerrshme, metoda jonë e provuar ofron një plan për shtetet e tjera dhe një paralajmërim për ata që do të mendojnë të derdhin gjak të pafajshëm,”, tha ai.
Top Channel