Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pohoi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Europiane se nuk ka ende një vendim për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura prej Brukselit majin e vitit të kaluar.
Ankesa e tij ishte se kjo gjë po ndodh pavarësisht faktit që Prishtina zyrtare i ka zbatuar kërkesat bazë dhe situata është qetësuar. “Masat u vendosën në fund të majit nga KE-ja si rezultat i përshkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës në 29 maj të vitit të kaluar kur protestuesit serbë sulmuan KFOR-in, gazetarët dhe qytetarët tanë. Ekzistonte një bindje se qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për shtensionimin e situatës. Në letrën që na u dërgua për vendosjen e këtyre masave nënvizohej se ato ishin të përkohshme, të kthyeshme dhe të bazuara në një proces të besueshëm të shtensionim të gjendjes në veri”, theksoi ai.
Teksa përmendi edhe takimin me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ku u vendos për planin katërpikësh, zbatimi i të cilit çon në largimin e këtyre masave, Bislimi i mëshoi idesë së Kosova i ka përmbushur detyrimet e saj sic parashikohet në dokument, por Brukseli nuk po vepron. Ne ende nuk e dimë se kur do të hiqen këto masa ndëshkuese, pohoi ai, duke shtuar se kjo ka ngjallur pakënaqësi edhe mes disa vendeve anëtare.
Këto vende pyesin si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse dërgoi katër kryetarë komunash në zyrë të cilët fituan përmes zgjedhjeve të lira, ndërsa Serbia nuk ka masa pavarësisht agresionit terrorist që ka bërë në Banjskë, deklaroi ai, duke folur për një qasje tërësisht të pabalancuar të BE-së e cila, siç tha, e ka dëmtuar Kosovën.
Top Channel