Studimi/ Nivelet e ujërave nëntokësore po bien me shpejtësi në mbarë botën, popujt që rrezikojnë “të thahen” për ujë

25/01/2024 08:16

Shumë pjesë të botës po përballen me një shterim të shpejtë të rezervave nëntokësore të ujit, sipas një studimi që analizoi miliona matje të nivelit të ujërave nëntokësore nga 170.000 puse në mbi 40 vende.

Ujërat nëntokësore furnizojnë miliarda njerëz kudo në botë me ujin për të pirë, larë, vaditur apo përdorime të tjera.

Uji nëntokësor, i gjendur brenda çarjeve të shkëmbinjve të njohur si akuiferë, është burimi kryesor sidomos në vendet ku ujërat sipërfaqësore janë të pakta, si India veriperëndimore dhe jugperëndimi i Shteteve të Bashkuara.

Reduktimi i ujërave nëntokësorë mund të vështirësojë qasjen e shumë njerëzve në ujërat e ëmbël për të pirë ose ujitur si dhe rrezikon të shkaktojë rrëshqitje të tokës.

Akuiferi Ascoy-Soplamo në Spanjë kishte shkallën më të shpejtë të rënies së nivelit të ujit, me një rënie mesatare prej 2.95 metra në vit, tregoi Scott Jasechko, profesor i asociuar në Shkollën e Shkencës dhe Menaxhimit Mjedisor Bren në Universitetin e Kalifornisë.

Disa sisteme akuiferesh në Iran rezultuan me shkallën më të shpejtë të rënies së nivelit të ujërave nëntokësore, shtoi ai.

Megjithatë, ekipi nuk ishte në gjendje të mblidhte të dhëna nga pjesa më e madhe e Afrikës, Amerika e Jugut dhe Azia juglindore për shkak të mungesës së monitorimit, por Jasechko shpjegoi se studimi përfshinte vendet ku kryhet pompimi më i madh i ujërave nëntokësore.

Studimi theksoi gjithashtu disa histori suksesi në Bangkok, Arizona dhe New Mexico, ku ujërat nëntokësore kanë filluar të rikuperohen pas ndërhyrjeve për menaxhimin e ujit.

Ekipi krahasoi këto të dhëna të reja me ato të viteve 1980-2000 për 542 akuiferët në studim, duke evidentuar se rënia e niveleve të ujërave nëntokësore u përshpejtua në dy dekadat e para të shekullit të 21-të për 30% të këtyre akuiferëve, duke tejkaluar rëniet e regjistruara midis viteve 1980 dhe 2000.

Sipas studimit, ritmi i përshpejtimit të rënies së nivelit të ujërave nëntokësorë, rezultoi dy herë më i lartë se sa pritej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA