Rusi, 27 vite burg për Darya Trepovan, vrau me bombë një bloger ushtarak

25/01/2024 20:18

Një gjykatë në Shën Petersburg dënoi të enjten 26 vjeçaren Darya Trepova, me 27 vite burg, për vrasjen me bombë vitin e kaluar të një blogeri ushtarak pro-luftës.

Bomba ishte fshehur brenda një statuje të vogël, që ngjante me blogerin Vladlen Tatarsky, të cilën zonja Trepova ia dha atij si dhuratë, ndërsa ai po zhvillonte një bashkëbisedim në një kafene në Shën Petersburg. Mes akuzave ndaj Darya Trepova-s ishte edhe ajo për terrorizm.

Zonja Trepova tha se ishte futur në kurth pasi kishte menduar se statuja kishte vetëm një pajisje përgjimi dhe jo bombë. Ajo tha para gjykatës se kishte vepruar sipas porosive të një personi të seksit mashkull nga Ukraina, me pseudonimin “Gestalt” (Forma). Ai i kishte dërguar para dhe udhëzime për disa muaj përpara shpërthimit në kafene.

Menjëherë pas ngjarjes Rusia akuzoi Ukrainën. Vladlen Tatarsky i përkiste një grupi blogerësh të njohur, që kishin krijuar audiencë të madhe në internet si përkrahës të luftës së Rusisë në Ukrainë, e që ndonjëherë i kritikojnë taktikat e saj. Zyrtarët e lartë ukrainas as nuk e kanë marrë përgjegjësinë mbi ngjarjen, por as e kanë mohuar përfshirjen në vrasjen e blogerit. Mykhailo Podolyak, ndihmësi i presidentit të Ukrainës, e ka cilësuar aktin si “terrorizëm të brendshëm”.

Zonja Trepova tha se ajo kishte ndjekur udhëzimet e ‘Gestalt-it” pasi mendonte se nga përgjimi i blogerit do të zbulohej më shumë se çfarë dinte ai për luftën, të cilën ajo e kundërshton. “Ndjej dhimbje dhe turp të madh që mendjelehtësia dhe naiviteti im çuan në pasoja të tilla katastrofike. Nuk doja të lëndoja askënd. Ndjej dhimbje dhe turp, që një akt terrorist është kryer nga duart e mia”, tha ajo para gjykatës në fillim të kësaj jave.

Avokatët e saj thanë se zonja Trepova ishte viktimë dhe se edhe ajo vetë mund të ishte vrarë apo plagosur, pasi ishte ulur vetëm disa metra larg blogerit Tatarsky. Sipas prokurorisë 26 vjeçarja ishte në dijeni të bombës dhe se ajo kishte “vepruar qëllimisht e me synim të destabilizimit të Federatës Ruse si dhe diskreditimin e operacionit special ushtarak”, ashtu siç e quan Moska sulmin ndaj Ukrainës.

Pas shpërthimit të bombës zonja Trepova tha se e kishte zënë paniku dhe se, edhe pse e kishte ditur se mund të arrestohej, kishte injoruar një udhëzim të “Gestalt-it”, për t’u nisur drejt aeroportit e për t’u larguar nga vendi. Pas ngjarjes ajo kishte biseduar në telefon me bashkëshortin e saj, i cili i kishte kërkuar një mikut të tij, të quajtur Dmitry Kasintsev, që ta strehonte në shtëpinë e tij atë natë. Të nesërmen ajo u arrestua.

Të enjten gjykata dënoi gjithashtu edhe Dmitry Kasintsev-in, me një vit e nëntë muaj për ndihmën që i dha zonjës Trepova edhe pse ajo dëshmoi se nuk e kishte takuar kurrë më parë dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje me bombën./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA