Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi mbërriti në SPAK, për t’iu përgjigjur prokurorëve për dosjen “Partizani”.
Teksa i drejtohej godinës së Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Malltezi tha për mediat se pronat pas privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, nuk i kaluan vetëm atij, por 100 familjeve. Hetimin e cilësoi të rremë dhe akuzoi Taulant Ballën.
“Këto lolot e Ramës kërkojnë llogari pse i janë kthyer pronat 100 familjeve. Kam marrë një ftesë pas tri vitesh e dy muajsh që nisi hetimi i rremë i Taulant Ballës.
Toka ishte e pronarëve të familjeve të Tiranës. Iu kthye 5 familjeve të origjinës. Klubi Partizani nuk iu kthye Jamarbër Malltezit, por 100 familjeve.
Edhe vetë SPAK pranon se nuk ka dëm, por bëjnë shfaqje me arrestime. Ka rezultuar se Balla ka bërë kallëzim të rremë. Ka rezultuar se Rama ka bërë shpërdorim detyre me dëm 330 mijë euro. Por Rama është mbi ligjin”.
Ndërkohë, më herët këtë të enjte, Jamarbër Malltezi dorëzoi rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës “arrest shtëpie”.
Ndërsa muajin e kaluar, ishte Prokuroria e Posaçme që depozitoi rekurs në Gjykatën e Lartë për Jamarbër Malltezin, i vendosur nën akuzë për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”, duke kërkuar rikthimin e tij në qeli, pasi më herët Gjykata e Apeli ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Top Channel