Autostrada Tiranë-Durrës me pagesë? Gazetari: BERZH-i ka propozuar taksë 1.2 euro, italianët 2 euro për mjetet dhe 5 për kamionët

25/01/2024 18:18

Në puntatën e sotme të “Ftesë në 5” është diskutuar për autostradën Tiranë-Durrës, për të cilën së fundmi qarkullojnë zëra se do të kthehet me pagesë.

I ftuar në studio, gazetari i ekonomisë në Top Channel Geri Kolgega u shpreh se aktualisht ka pasur studime mbi fizibilitetin dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka propozuar një taksë 1.2 euro. Ndërkaq, një studim italian propozonte maksimumi 2 euro për mjetet dhe 5 euro për kamionët.

Në kundërpërgjigje, Pano Soko ka kundërshtuar kthimin me pagesë të autostradës më të “rrahur” nga lëvizjet e mjeteve në vend, duke shtuar se kur drejtuesve të mjeteve u vilet taksa përmes naftës, nuk është e nevojshme t’iu merret disa fish, duke u tarifuar edhe lëvizjen në rrugë tashmë.

Nga ana tjetër, eksperti i aksidenteve Gëzim Hoxha, duke folur në pozitat e qytetarit të thjeshtë tha se kushdo që kalon në rrugë, e konsumon rrugën dhe duhet të paguajë për të.

Bieta: Lekët i jep shteti, a është garanci taksa që u merret qytetarëve se nuk do të ketë pagesë?

Soko: Ne kemi shembullin perfekt rrugën e kombit. Ne e kemi thyer tabunë e moralit politik që qytetarët kanë paguar rrugën, nuk kanë pse e paguajnë pak. Thuhet 5 euro, por ka shkuar 6.5 euro.

Hoxha: Unë nuk kam qenë ndonjëherë në qeveri apo ministër, por po flas si qytetar i thjesht. Ka ardhur koha që secili duhet të paguajë atë që ha. Kushdo që kalon në rrugë, e konsumon rrugën dhe duhet të paguajë për të. Aty kalojnë makinat e rënda të oligarkëve që nuk duan të paguajnë. Nuk është normale që një qytetar që kalon në rrugë, duhet paguajë edhe për mjetet e rënda.

Bieta: Autostrada Tiranë- Durrës sa mendoni se do të ishte kostoja nëse do të paguhej?

Kolgega: Ka pasur studime për këtë. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka propozuar një taksë 1.2 euro. Ka pasur edhe një studim fizibiliteti italian që propozonte 2 euro maksimumi për mjetet dhe 5 euro për kamionët.

Soko: Sot paguajmë. Problemi është se paguajmë më shumë seç duhet. Lekët ne i paguajmë te nafta, ti nuk mund të më vendosësh taksa te nafta dhe pastaj më thua më jep lekët e rrugës ku kalon. Jo. Atëherë më hiq disa nga taksat e naftës.

Bieta: Ti po thua ne e paguajmë disa herë…

Soko: Ne po e paguajmë disa fish dhe unë dua të flas për këtë sepse nafta ndikon në rritjen e çmimeve të tjera. Ti më thua do ta paguash me se s’bën sepse për sa kohë ke para për makinë duhet të paguash edhe taksën e rrugës, por jo. Rritja e çmimit të naftës pengon edhe atë pensionistin e thjeshtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA