“Rama po tenton konsensus numerik për reformën zgjedhore”, Bylykbashi: Komision bipartizan me opozitën reale, s’kemi ndryshuar qëndrim në raport me Kuvendin

24/01/2024 12:51

Demokratët e Rithemelimit vazhdojnë të mos pranojnë përfaqësimin në Reformën Zgjedhore nga kolegët demokratë të PD-së zyrtare.

Oerd Bylykbashi, nënkryetari i PD-së i caktuar nga ‘Rithemelimi’  për bashkëkryetar në komisionet e Reformës Zgjedhore, duke mos pranuar Enkelejd Alibeajn, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Nuk ka ndryshuar ajo që ne kemi kërkuar, komision bipartizan ku bashkë kryesimi të jetë për opozitën reale. PD është ajo që njohin të gjithë anëtarët, PD është ajo që njeh aktualisht dhe gjykata”-shprehet Bylykbashi.

Reagimi i plotë:

Arsyet pse PD ka marrë një vendim në lidhje me mënyrën se si funksionon ky parlament, tashmë kemi një parlament krejt jofunksional, vepron në shkelje të ligjit sepse kufizon të drejtat kushtetuese të opozitës, asnjë nga arsyet nuk ka ikur.

Një nga arsyet është reforma zgjedhore, e cila prej dy vitesh sillet si fantazmë korridoreve të parlamentit dhe nuk ka ndodhur asgjë, për shkak se ai komision i ngritur dhe i mbajtur në këmbë nga Edi Rama, me këtë kompozim që është sot, siç kërkon ta çojë përpara mazhoranca, me mbështetjen e Lulzim Bashës qartazi, është autore e këtij dështimi dyvjeçar. Nuk ka ndodhur kurrë në historikun e parlamentit shqiptar, që një komision të qëndrojë dy vite pa bërë asgjë.

Nuk ka ndryshuar ajo që ne kemi kërkuar, komision bipartizan ku bashkëkryesimi të jetë për opozitën reale. PD është ajo që njohin të gjithë anëtarët, PD është ajo që njeh aktualisht dhe gjykata.

Dhe vendimi i Edi Ramës për të caktuar ai bashkëkryetarin e komisionit dhe formatin e opozitës në këtë komision, tregon qartazi se qëllimi është të veshë me një pelerinë bipartizanizmi dhe konsensualiteti atë që tha në dhjetorin e kaluar.

Do të kërkojë konsensusin numerik, pra në vetvete ai kërkon të vrasë traditën 20-vjeçare të parlamentit shqiptar. Komisionet bipartizane konsensuale realë që kanë prodhuar kod zgjedhor, që ODIHR e vlerëson si një bazë të shëndoshë.

Problemi shpesh nuk janë problemet në ligj, por shkelja e ligjit si ajo nga Rama, që tha se ky kod zgjedhor është kinezëri, nuk na ndalon.

Reforma zgjedhore ka për detyrë të miratojë rregulla shtesë për të penguar Edi Ramën dhe të gjithë makinerinë të shkatërrojë zgjedhjet në Shqipëri.

Një detyrë shumë e vështirë në kushtet e mungesës agresive të vullnetit që ka Edi Rama.

Mbajtja dhe çuarja përpara e një reforme zgjedhore të njëanshme, duke e shitur atë për konsensuale dhe bipartizane, është shërbimi më i keq që mund t’u bëhet zgjedhjeve dhe shqiptarëve.

Nuk ka ndryshuar asgjë dhe sjellja jonë në raport me parlamentin dhe me komisionin specifik mbetet e njëjtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA