Rama nga Madridi, në konferencën e shtypit kushtuar Shqipërisë si destinacion i turizmit të qëndrueshëm, bashkë me Gabriel Escarrer Jaume, CEO i gjigantit ndërkombëtar “Meliá Hotels International” që ka ardhur në Shqipëri me një seri kontratash, duke ndikuar ndjeshëm edhe në promovimin ndërkombëtar të vendit tonë
“Jam shumë i nderuar që gjendem këtu. Melia është, mund të them, pa asnjë dyshim, një prej partnerëve tanë më të çmuar në këtë rrugëtim. Është mjaft inkurajuese të shohësh se ç’etje të madhe ka Melia për të shpërndarë markën e vetë në të gjithë vendin e nëse nuk gabohem, ka 10 kontrata veprimtarie tanimë dhe kjo është vërtetë shumë e rëndësishme për ne.
Nga ana tjetër, është po kështu mjaft e rëndësishme që gjendemi këtu sepse kemi parë, sidomos vitin e kaluar, një rritje mjaft të rëndësishme të turistëve spanjollë në Shqipëri e meqë ra fjala, ndoshta e keni vënë re që kam pak probleme me shpinën kështu që mu desh dje të shkoja për fizioterapi dhe fizioterapisti më tha, “dy ditë më parë e dashura ime prenotoi për të ardhur në Shqipëri me familjen dhe me mua ndërsa tani unë po kujdesem për shpinën tuaj”. Kjo është diçka që do kish qenë e pamundur të imagjinohej pak vite më parë kur siç e thatë, Shqipëria ishte tejet e fshehur. Tanimë nuk është kaq e fshehur dhe tashmë ka gjithmonë e më tepër kërkesa për të ardhur. Vitin e kaluar shënuam aeroportin me rritjen më të lartë në Europë, Aeroportin e Tiranës, mbështetur në statistikat e Aviacionit Civil dhe bazuar në statistikat e OBT-së, ne jemi vendi i tretë sa i takon rritjes së turizmit në botë pas Katarit dhe Arabisë Saudite, pra të tretët pa Kupën Botërore dhe pa Mekën është një rezultat mjaft i mirë”, tha Rama.
“Meqë ra fjala më duhet të them që sot na u ofruan grupe të tjera spanjolle dhe jam i sigurt që tanimë nuk e kanë më problem të përfytyrojnë, të investojnë në Shqipëri sepse kanë parë që dikush tjetër e ka bërë para tyre dhe për vende si tonat, të cilat gjenden midis të qenit të fshehur dhe ambicies për të dalë në pah, atë që shkrijnë akullin janë shumë të rëndësishëm. Melia ka qenë një shkrirëse e jashtëzakonshme e akullit. Kur vjen fjala për pyetjen tuaj për qëndrueshmërinë, kjo është sfidë jashtë mase e madhe, sepse na duhet të tregojmë shumë kujdes lidhur me zhvillimin dhe të vendosim një ekuilibër midis të tashmes dhe të ardhmes. Një ekuilibër midis më shumë të ardhurave nga turizmi me nevojën për të ruajtur natyrën. Ne jemi bekuar me një vend i cili në një sipërfaqe shumë të vogël, Shqipëria është vetëm 28 mijë kilometër katror, është besoj një vend shumë i larmishëm. Ndoshta një prej vendeve me larminë më të madhe sepse në këtë hapësire kaq të vogël, përmban 2 dete, 9 lumenj, shumë male. Kështu që në një distancë shumë të shkurtër mund të jesh në Spanjë dhe Zvicër në të njëjtën kohë. Të jesh në Amerikën e Veriut dhe në Amerikën e Jugut sa i takon klimës. Kjo është vërtet shumë e veçantë, ndaj na duhet të gjejmë një ekuilibër. Ja pse jemi shumë të lumtur me atë çfarë po bën Melia, sepse duam të nxisim për më shumë turizëm luksoz, për të mos rënë viktimë e turizmit masiv që në fund të fundit nuk i jep vendit aq përfitim sa ç’mund t’i sjellë dëme. E meqë ra fjala, dua t’i them gjithkujt, tu them edhe spanjollëve të vijnë e të kalojnë përvojën me Melian në plazh sepse është një përvojë mjaft e këndshme dhe nuk e them vetëm unë këtë, por e thonë shumë të ftuar, vizitorë që vijnë nga vende të ndryshme atje. Dhe nuk janë njerëz që nuk kanë parë hotel me sytë e tyre, janë njerëz të cilët udhëtojnë vërtete dhe kërkojnë të gjejnë gjëra të reja dhe gjithmonë thuhet, “ah, keni “Melian” në Shqipëri, është e jashtëzakonshme”. Pra keni një “Melia”. Në një farë forme kjo është fryma”, tha kryeministri.
– Një pyetje për kryeministrin. Çfarë garancish ofron vendi juaj në nivel sigurie, qetësie, apo lëvizshmërie, brenda vendit, sepse komentuat që keni malet, keni lumenjtë e kështu me radhë. Çfarë imazhi u transmetoni atyre që duan të vijnë dhe investuesve në vendin tuaj?
Rama: Është në fakt mes gjërash të tjera një vend krejt i ndryshëm nga perceptimi që për vite të tëra ka qenë i pranishëm sa i takon sigurisë. Do t’ju jap vetëm një shembull. Ne bazuar në statistikat e BE-së jemi vendi me numrin më të ulët të vjedhje të shtëpive në Europë. Vendi kampion është Britania e Madhe. Ata thonë për shkak të faktit që shqiptarët kanë shkuar atje, por nuk jam i sigurt për këtë. Kjo është e para.
E dyta, që është më e rëndësishme, ne jemi një vend ku mikpritja është feja kryesore. E meqë ra fjala, në kaq shumë vite qysh se kur dolëm nga situata e të qenit vendi më i izoluar i Europës, kemi qenë Koreja e Veriut e Europës deri në vitet ’90, sepse ishim vend komunist, por nuk kishim marrëdhënie me vendet e tjera komuniste në Europë, sepse mendonim që ata ishin tradhtarë dhe kur dolëm qysh këtej, i hymë një rrugë me pengesa tranzicioni e ndryshimi natyrisht edhe me shumë probleme sigurie, por fakti është që gjatë tërë këtyre viteve, ne jemi hasur me situata në të shkuarën që kanë qenë të dëmshme edhe fizikisht për njerëzit, por kurrë asnjëherë, asnjë vizitor i huaj nuk është dëmtuar, asnjë vizitor i huaj nuk ka pasur çështje sigurie. Ndoshta shumë, shumë pak raste të cilat praktikisht janë vërtetim i rregullit që shkruhet në Kushtetutën e parë shqiptare, të Mesjetës, “që shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”. E për aq kohë sa Zoti ende nuk është shfaqur vetvetë, atëherë miku është imazh më i afërt i tij. Për këtë arsye, mikun duhet ta trajtosh si perëndi. Kështu trajtohen miqtë në Shqipëri dhe jam i sigurt që Garbieli mund t’iu thotë thjeshtë po, jo sepse kam gjithmonë të drejtë, por se në këtë rast mendoj që ai ka të njëjtën ndjesi, që Shqipëria jo vetëm është e bukur, por është mjaft e sigurt dhe siguria është një nga fjalët më të përdorura prej turistëve kur vijnë. Turistët që vijnë nga kryeqytete europiano-perëndimore, kur i pyesin se çfarë i pëlqen nga Shqipëria thonë, “njerëzit, ushqimi dhe siguria”. Kështu që mendoj që në këtë drejtim jemi në rregull. Dhe më duhet të them që ende kemi çështje me burokracinë apo probleme me burokracinë, por kemi burokraci shumë herë më të shpejtë se Bashkimi Europian, për këtë të jeni të sigurt sepse ende nuk jemi në Bashkimin Europian, por kur të jemi nuk jam i bindur nëse do të jemi kaq të shpejtë sa jemi tani.
Top Channel