Kryetari i PD, Lulzim Basha, në fjalën e tij, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, tha se është e nevojshme të fuqizojmë Ukrainën, pasi nëse gabojmë, do t’i vijë radha Ballkanit.
Fjalimi i Lulzim Bashës
Lufta e paligjshme dhe agresioni i Rusisë ka shkaktuar shkatërrim dhe vuajtje katastrofike për Ukrainën dhe banorët e saj, duke rezultuar në humbje te mëdha njerëzore dhe materiale dhe shumë krime lufte kundër civilëve. Ukraina ka nevojë për ndihmë të konsiderueshme në drejtim të rimëkëmbjes dhe rindërtimit. Federata Ruse duhet të mbahet përgjegjëse për kompensimin e humbjeve njerëzore dhe materiale të shkaktuara.
Është kritike që komuniteti ndërkombëtar, duke punuar në bashkërendim, të përballet me këtë sfidë dhe të sigurojë që viktimat e agresionit të marrin dëmshpërblimin që u takon. Siç është deklaruar tashmë nga Asambleja Parlamentare në Rezolutën “Për sigurimin e një paqe të drejtë në Ukrainë dhe sigurisë së qëndrueshme në Europë”, kjo do të përfshijë ngritjen e një mekanizmi të kompensimit të plotë, duke përfshirë një komision ndërkombëtar për ekzaminimin e pretendimeve për dëmet e regjistruara në Regjistrin e Dëmeve dhe një fond kompensimi për të paguar vendimet për dëmshpërblim të dhëna nga Komisioni, veçanërisht duke konfiskuar dhe vënë në dispozicion pasuritë e Federatës Ruse për të paguar për dëmet e luftës në Ukrainë.
Kjo do të mundësojë përdorimin e këtyre pasurive si një mjet për të detyruar shtetin agresor të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare.
Përdorimi i pasurive të bllokuara për të financuar një program rimëkëmbje për Ukrainën do të shërbejë si një paralajmërim dhe një lëvizje strategjike me pasoja më të gjëra.
Një veprim i tillë do të demonstrojë se cfarë pasojash të rëndësishme sjell shkelja e normave globale dhe pjesëmarrja në luftëra agresioni.
Kjo do të shërbejë gjithashtu si një kujtesë e ndërlidhjes në nivel botëror dhe përgjegjësisë kolektive për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare dhe parandaluar që veprime të tilla të mbeten pa përgjigje.
Mos gaboni, rreziku është i lartë. Nëse dështojmë për të mbështetur dhe fuqizuar Ukrainën do ta paguajmë shtrenjtë. Ballkani do të jetë i radhës. Një tentativë tashmë e dështuar për grabitjen e territorit dhe ndryshimin e kufijve ndodhi në Shtator të vitit të kaluar. Nuk është një incident i izoluar. Është një përpjekje për të ndryshuar arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe sabotuar mbrojtjen Euro-Atlantike të kësaj arkitekture të sigurisë.
Prandaj, duke mbajtur dhe forcuar unitetin tonë kundër këtij agresioni, duhet të jemi të vendosur në objektivin tonë për të fuqizuar Ukrainën, në mënyrë që pasojat e agresionit rus, përfshirë ato të natyrës financiare, të shërbejnë si një parandalim kundër çdo agresioni të ardhshëm në Evropë dhe në vende të tjera.
Top Channel