Greqia bllokon integrimin për Belerin, Vangjel Dule: E vëmendshme për minoritetin, kur privohet e drejta e betimit…

24/01/2024 21:17

Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ, i ftuar në “Breaking”, foli për përfshirjen e Greqisë në gjyqin ndaj kandidatit të PD për bashkinë Himarë.

Dule reagoi edhe për sa i përket incidentit të sotëm, ku u godit me vezë teksa hynte në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ku do të zhvillohej një seancë gjyqësore për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

“Ishte një situatë e papëlqyeshme që askush nuk do të dëshironte të gjendjet. E papritur, as nuk i kisha parë ndonjëherë këto persona, as emrat nuk i kisha dëgjuar mesa pyeta. Mesazhi nuk më drejtohej mua personalisht”, tha Dule.

Për gjyqin e Belerit, Dule tha se është një proces që po e ndjekin me shumë korrektësi, proces i cili vazhdon prej 8 muajsh, ndërsa për qëndrimet e Greqisë, i quajti normale dhe me të drejtë.

“Janë shumë të vëmendshëm. Greqia ka të drejtën legjitime për t’u interesuar për fatet e minoritetit të vet në Shqipëri. Greqia nuk ka thënë Beleri është i fajshëm, Beleri të dalë i pafajshëm. Një njeri që prezumohet i pafajshëm ka të drejtën Kushtetuese të zgjedhjes, dhe zgjedhja përfundon me betimin, dhe kur privohet kjo e drejtë, ka të drejtë jo vetëm Greqia por edhe Holanda, edhe Parlamenti Europian. Pse mbeteni Greqia Greqia, dhe kultivoni një paragjykim? Sot e drejtat e njeriut janë universale, kemi detyrime që duhet t’i zbatojmë”, tha Dule.

Po na pengon çështjen e integrimit?

“Doni një integrim të merituar të Shqipërisë në BE apo doni një integrim në fjalë? Të gjithë eurodeputetët janë nga Greqia? Nuk është çështje midis Shqipërisë dhe Greqisë çështja Beleri, është çështje e respektimit të të drejtave. Në Shqipëri shteti i së drejtës o funksionon për të gjithë, o për asnjë. Po gjej shumë qytetar që më shprehin se Greqia a do të interesohet për fatet e demokracisë së vendit tonë që po rrënohet, apo do të përfundojë me çështjen Beleri, uroj që Greqia ta bëj. Uroj që në Shqipëri të kemi shtetin e së drejtës”, u shpreh Vangjel Dule.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA