Për ish-shefin e sigurisë në burgun e Peqinit, Mariglen Kadiu, mbetet në fuqi masa detyrim paraqitje.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë në 23 dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas hetimeve, Kadiu, në kundërshtim me nenet 12, 16, 26 të ligjit nr 80/2020 “Për policinë e burgjeve”, ligjin nr 81/2020, si dhe VKM Nr 209 datë 06.04.2022, lejoi mbajtjen e sendeve të ndaluara në burg dhe më pas, në bashkëpunim me të dënuarin Pëllumb Goxha dhe Hysni Rama, ia vendosën lëndën narkotike në dhomë të dënuarve Blerim Eshja dhe Roland Milo.
Njoftimi i Apelit:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit
të Përgjithshëm Elbasan.
2.Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, në mungesë, ndaj personit nën
hetim M. K, me detyrë- ish shefi i policisë në IEVP Peqin, aktualisht me detyrë shef policie në
IEVP Drenovë, i dyshuar autor i veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248
i Kodit Penal.
3.Urdhërohet personi nën hetim M.K të mos largohet nga banesa e tij ………..
4. Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, në mungesë, ndaj personin nën
hetim P. G, i dënua, aktualisht i akomoduar në IEVP Drenovë, i dyshuar si autor i veprave penale
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin
e ekzekutimeve të vendimeve me burgim”, parashikuar nga neni 283/2 dhe 324/a/2 i K.Penal.
5. Urdhërohet mbajtja në paraburgim e personit nën hetim P.G.
Në vijim, pas zbatimit të masave të mësipërme, u zhvillua gjykimi për verifikimin e kushteve dhe
kritereve, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin nr.927,
datë 29.12.2023, ka vendosur:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit
të Përgjithshëm Elbasan.
2.Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të caktuar me vendimin
nr.911, datë 23.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan
për personin nën hetim M. K, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”,
parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal me: i) masën shtrënguese të sigurimit “Detyrimi për t’u
paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale; dhe ii) masën ndaluese
të sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i
K.Pr.Penale, duke i ndaluar personit nën hetim që të ushtrojë detyrën për një periudhë kohore prej
3 (tre) muaj nga data e shpalljes së këtij vendimi.
3. Detyrohet personi nën hetim, M.K, të paraqitet pranë policisë gjyqësore në Drejtorinë Vendore
të Policisë Elbasan, çdo javë, në ditë të hënë, ora 10:00.
4. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim M. K, nëse nuk mbahet i arrestuar, i
ndaluar apo i dënuar për ndonjë vepër apo procedim tjetër penal.
5. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të caktuar me vendimin
nr.911, datë 23.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan
për personin nën hetim P. G, i dyshuar si autor i veprave penale “Prodhimi dhe shitja e
narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimeve të
vendimeve me burgim”, parashikuar nga neni 283/2 dhe 324/a/2 i K.Penal.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:
– Nga personi nën hetim me iniciale M. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit revokimin e
masës së sigurimit dhe moscaktimin e asnjë mase sigurimi personal.
– Nga personi nën hetim me iniciale P.G, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit revokimin e
masës së sigurimit penal.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 24.01.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të
Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Dokollari, vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 927, datë 29.12.2023 dhe vendimit nr. 911, datë 23.12.2023 të Gjykatës
së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Top Channel