Bieta Sulo

Nga Bieta Sulo

Edhe kësaj here, duhej të ndodhte një fatkeqësi që të dilnin në shesh të metat e ligjeve tona.

Një vajzë 14 vjeç në një marrëdhënie (seksuale/dashurie) me një burrë në të dyzetat. Nuk dua të merrem me rastin e mjekut Hasi, se për të do të flasë drejtësia. Por kjo histori ngre nje alarm, për të cilin pati aq debat, zhurmë dhe përplasje edhe në “Ftesë në 5”.

Islamologia Ikballe Berisha Huduti u shprej gjatë emisionit “se mjeku nuk kish kryer asgje gabim, mdaje ai është i nderuar në gjithë sa ka bërë (lidhur me marrëdhënien me minorenen) dhe do të dalë i pafajshëm”… Duke i hequr aspektin fetar shpjegimit të saj, i cili bëhet nul në një shtet laik ku prevalon ligji, është pikërisht ligji ai që mund ta nxjerrë të pafajshëm një të rritur që kryen marrëdhënie seksuale edhe me një minoren/e të moshës 14 vjeç. Pooo, pooo fëmijët në vendin tonë nuk qenkan më të mbrojtur deri në moshën 16 vjecare, sikundër shumë mendojnë.

Sipas Kodit Penal, neni 100: Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur, që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose me të miturën që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Pra, kur fëmija ka mbushur 14 vjeç, një të rrituri nuk “i hyn gjemb në këmbë” ligjërisht. Ky është një “nen pedofil” bërtiti me të madhe Mirgit Vataj (Kryetar i Urdhrit të Punonjësve Socialë) në studion time dje, i cili e ka ngritur këtë problematikë edhe vite më parë, në po të njëjtën studio.

Po pse duhet të kemi viktima, pa ta kthejmë vëmendjen nga ligjet, pseeee? Pse nuk dëgjohen specialistët kur flasin, por duhet të ulërasin? Dhe jo, ne nuk “kemi ligje të mira, por që thjesht nuk zbatohen” siç është bërë refren. Ne kemi edhe ligje problematikë dhe që nuk i përgjigjen realitetit tonë shoqëror.

Një realiteti ku nëna e tri fëmijëve, sic Ikballja është, shprehet se është OK të ketë marrëdhënie të minorenëve me të rritur për sa kohë vajzës i kanë ardhur menstruacionet dhe ka epshe… Ndaj, të gjithë atyre që më kanë shkruar apo kanë komentuar se “pse i jepni zë eksponentëve të tillë…” po ju them vetëm një gjë: i ka ikur koha komentit “pse i jep zë”. Në një realitet që gëlon nga rrjetet sociale, televizioni është vetëm njëra nga dritaret e informimit (shumë e rëndësishme patjetër).

Në fcb, instagram dhe sidomos Tik Tok të gjithë mund të shprehen si dhe sa të duan. Dhe nqs ju s’doni të merreni me dikë në TV, ai ose jo merret gjithë ditën me fëmijët tuaj në Tik Tok. Ndaj them që i ka ikur koha “pse i jepni zë”. Unë këta zëra dhe gjithë të tjerët i përball dhe ju përfshij edhe ju nga shtëpia që së bashku të ngremë zërin për cka mendojmë që është më e mira, për fëmijët tanë në rastin konkret.
Dhe së fundmi, unë mendoj që ky nen duhet rishikur nga insitucionet përkatëse. Nuk mund të kemi “të kyçur” në kodin tonë 1 nen pedofil dhe pedofilët të lirë në shoqëri.

Bieta Sulo Autore/Moderatore “Ftesë në 5”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA