Bashkimi Europian e konfirmoi se i ka mbërritur një version përfundimtar i letrës së hartuar nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabic përmes së cilës kjo e fundit thekson se Serbia nuk ka për ta zbatuar nenin që detyron palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare.

Edhe pse përmbajtja e dokumentit nuk është bërë publike, blloku edhe një herë e bëri të qartë se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi për zbatimin e saj janë të detyrueshme për të dyja palët. Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi për zbatimin e saj do të jenë pjesë integrale e rrugës së Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit në BE, nënvizuan zyrtarë në Bruksel.

Përmes letrës së Bërnabic, Serbia e njoftoi BE-në se do të marrë përsipër zbatimin e të gjithë marrëveshjeve. Kundërshtia kryesore është ndaj pikave të ujdisë, të cilat e shtrëngojnë Beogradin të mos e pengojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. “Në përgjithësi, ne nuk e komentojmë përmbajtjen e korrespondencës me BE-në.

“Megjithatë, mund të konfirmojmë se na ka mbërritur një variant përfundimtar i letrës nga kryeministrja serbe. I kujtojmë palëve se marrëveshja me aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, të datës 18 mars 2023. Ky ka qenë qëndrimi konsistent i BE-së, i cili gjithashtu është komunikuar publikisht në disa raste”, deklaroi zëdhënësi i bllokut, Petër Stano për mediat në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA