Në mesin e shqetësimeve në rritje mbi rrezikun e një sulmi rus në krahun lindor të saj dhe nevojë për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës së përballur me agresionin e Moskës prej pothuajse 2 vitesh tashmë, NATO-ja njoftoi sot nënshkrimin e një kontrate prej 1.1 miliard eurove për municion artilerie 155 milimetrash.
Një pjesë e tyre do të dërgohen në Ukrainë, pas ankesave të Kievit se mungesa e municioneve është duke i penguar përpjekjet për mbrojtje kundër pushtimit rus. “Lufta e Ukrainës është kthyer në betejë armatimesh e municionesh”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg teksa firmoste kontratën, në bazë të të cilës shumë aleatë ose do t’i dërgojnë municionet në Ukrainë, ose do t’i ruajnë në magazinat e tyre ushtarake.
Një zyrtar i NATO-s i identifikoi blerësit si Belgjika, Lituania dhe Spanja, të cilat u bënë bashkë për të përfituar nga çmimet më të ulëta të siguruara prej blerjes me shumicë. Kontrata ka të ngjarë të garantojë rreth 220,000 fishekë municione artilerie, me dërgesat e para që priten në fund të vitit 2025, tha zyrtari në fjalë për Reuters. Predhat do të furnizohen nga prodhuesi francez i armëve Nexter dhe Junghans i Gjermanisë.
“Që kur NATO-ja nisi një program për të zgjidhur çështjen e mungesave në rezervat ushtarake të aleatëve korrikun e kaluar, agjencia e saj e prokurimeve ra dakord për marrëveëshje që në total kapin shifrën e 9.19 miliardë eurove”, tha Stoltenberg.
Kjo përfshin edhe predha artilerie dhe tanke, si dhe raketa të mbrojtjes ajrore Patriot. Në një takim në shkurt, ministrat e mbrojtjes të NATO-s pritet të diskutojnë edhe mënyra të tjera për të rritur prodhimin industrial, të cilat shefi i NATO-s i përshkroi si absolutisht të nevojshme për të mundësuar mbështetjen e vazhdueshme perëndimore për Kievin.
Top Channel