Një doktoreshë nga Missouri në SHBA ka vdekur papritur në shtëpinë e të dashurit të saj zjarrfikës, tre vjet pasi një tjetër grua ishte gjetur e vdekur në rrethana të ngjashme në rezidencën e tij.
Dr. Sarah Sweeney, 39 vjeçe, u gjet e vdekur mëngjesin e 13 janarit në shtëpinë e të fejuarit në St. Louis, shkruan rrjeti vendas First Alert 4.
Në trupin e të ndjerës “nuk kishte shenja traume” tha policia e Frontenac ndërsa janë ende në pritje të rezultateve të autopsisë. Zyrtarët shtonin se vdekja e Sweeney po hetohet si “vdekje e papritur, e pashpjeguar”.
Sweeney u gjet e vdekur në shtëpinë e drejtuesit vendas të zjarrfikësve Robert Daus, tha nëna e të ndjerës Teresa Sweeney Light.
Sweeney – e cila kohët e fundit kishte hapur pediatrinë e saj private – ishte njohur në punë me Daus, i cili kishte bërë telefonatën e emergjencës mëngjesin e tragjedisë.
Tre vjet më parë në qershor 2020, Daus kishte thirrur emergjencën nga adresa e mëparshme për të kërkuar ndihmë se e fejuara e tij asokohe Grace Holland, kishte qëlluar veten në kokë me armë para syve të tij, shkruan rrjeti Fox.
Holland – nënë e katër fëmijëve – u përcaktua më vonë se kishte vdekur nga vetëvrasja, pro familjarët e të ndjerës kundërshtojnë verdiktin duek pretenduar abuzim nga burri.
Ata pretendonin se në muajt para vdekjes së Holland, Daus kishte nisur të kontrollonte financat e Holland dhe e kërcënonte se do t’i jepte fund lidhjes. Ata dyshonin dhe për dhunë shtëpiake të burrit.
Kur familjarët e viktimës së dytë Sweeney mësuan për vdekjen e Holland kishin tentuar të paralajmëronin doktoreshën.
Por në nëntor 2021, Sweeney nuk i përgjigjej më mesazheve nga e ëma dhe njerku i saj.
“Ajo ishte një person i rritur, ishte doktoreshë, ne nuk dinim ç’të bënim më”, tha e ëma për shqetësimin mbi lidhjen e të bijës me Daus.
Ajo tha se nuk donte të spekulonte mbi shkakun e vdekjes së të bijës por tha se kishte nje sëmundje kockore dhe se ishte shtruar në spital një vit më parë. Hetimet vijojnë.
Top Channel