BE propozon masa kundër dezinformimit në prag të zgjedhjeve

23/01/2024 19:53

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, prezantoi raportin e Shërbimit të veprimit të jashtëm lidhur me fushatat e ndërhyrjes së huaj dhe dezinformimit, me qëllim të ndikimit në proceset zgjedhore.

Borrell tha më 23 janar se ky raport vjen në një kohë të ndjeshme dhe të rëndësishme, pasi këtë vit në shumë vende të botës, përfshirë edhe në BE dhe Shtetet e Bashkuara do të ketë procese zgjedhore.

Me këtë raport, Borrell ka propozuar edhe masa që duhet të ndërmerren për të parandaluar ndikimet negative në proceset demokratike nga faktorët që kanë për qëllim manipulimin dhe dezinformimin. Gjatë paraqitjes së raportit, shefi i diplomacisë së BE-së tha se kërcënimi nga ndikimet e huaja në botën moderne janë kërcënime gjithnjë e më të mëdha, të cilat duhet të merren seriozisht.

“Ka bomba që mund të vrasin, helme që mund t’iu helmojnë, por si të adresohet manipulimi dhe ndërhyrja në fushatë, është sfidë e madhe”, tha ai, duke shtuar se Rusia në mënyrë të sofistikuar dhe në përmasa industriale për vite është angazhuar në fushata të dezinformimit.

“Jemi të ndjeshëm ndaj këtij kërcënimi sepse informatat dhe dezinformatat përhapen me shpejtësinë e dritës”, tha ai.

Borrell veçanërisht përmendi shtetet e Ballkanit Perëndimor si “viktima” të sulmeve të tilla manipuluese. Raporti i BE-së për fushatat e dezinformimit dhe manipulimit vjen në prag të mbajtjes së zgjedhjeve në disa shtete. Afër 400 milionë qytetarë të Evropës do të votojnë mes 6 dhe 9 qershorit në zgjedhjet evropiane për të zgjedhur deputetët e rinj të Parlamentit Evropian. Nga ky votim do të varet edhe ndarja e posteve në funksionet kyçe në institucionet e BE-së.

Si aktorët kryesorë të cilët me qëllim përfshihen në fushata të ndërhyrjes dhe manipulimit përmenden Rusia dhe Kina të cilat, sipas BE-së, me qëllim keqpërdorin kanalet e komunikimit për të përhapur dezinformata.

Qëllimi i tyre është që të ndikojnë në krijimin e ndasive në shoqëri, të dëmtojnë institucionet demokratike apo thjesht kanë qëllime ekonomike, tha blloku evropian. Raporti i njësive të posaçme të BE-së që merren me këtë çështje ka identifikuar 750 incidente vetëm në rastet që i ka përcjellë gjatë një periudhe njëvjeçare, përkatësisht nga nëntori i vitit 2022 deri në dhejtor të vitit 2023.

Cak i ndërhyrjeve të tilla kanë qenë organizatat ndërkombëtare, shtetet e caktuara, por edhe individët. Ekspertët kanë konstatuar se 59 persona kanë qenë cak i madh i sulmeve të tilla verbale, ndërsa më së shumti në shënjestër ka qenë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Pas tij, cak kanë qenë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, por edhe artistë të njohur sikurse Nicolas Cage dhe Margot Robbie.

Sipas raportit, rreth 30 për qind e sulmeve kanë qenë të drejtuara ndaj 140 organizatave të ndryshme ndërkombëtare, nga BE-ja e NATO-ja e deri te Kombet e Bashkuara. Platformat të cilët janë përdorur më së shumti për veprime të tilla kanë qenë Telegram dhe X, që më herët njihej si Twitter. Këto platforma janë përdorur për ndërhyrje të jashtme, por po ashtu janë përdorur edhe platforma të tjera të shumta më të vogla.

BE-ja disa herë e ka identifikuar rajonin e Ballkanit Perëndimor si zonë ku janë fokusuar përpjekjet e aktorëve të huaj për të ndërhyrë, sidomos në proceset zgjedhore. Në këtë raport përmenden Serbia, Mali i Zi dhe Kosova ku janë identifikuar veprime për ndërhyrje në proceset zgjedhore. Sipas raportit, në zgjedhjet parlamentare që janë mbajtur në Mal të Zi dhe në zgjedhjet lokale në Kosovë ka pasur përpjekje për të ndikuar në këto procese.

Në Kosovë, në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe, në prill të vitit të kaluar u mbajtën zgjedhjet lokale, që u bojkotuan nga serbët lokalë. Nga shtetet e caktuara, Ukraina ka qenë caku më i shpeshti i fushatave të dezinformimit me 16 raste të identifikuara. Pastaj SHBA-ja me 58 raste, pasuar nga Polonia, Gjermania, Franca dhe Serbia.

Ekspertët e BE-së kanë deklaruar se përpjekje të tilla nuk do të ndalen dhe se ato mund të rriten tani në prag të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, por edhe të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Prandaj, ata kanë bërë ftesë që edhe në shtetet anëtare të BE-së, por edhe në nivel të përbashkët të veprohet në mënyrë aktive që të parandalohen apo luftohen fushatat e tilla negative. Sepse këto përpjekje, thanë në BE, rrezikojnë rendin demokratik dhe vlerat e bllokut evropian.

Raporti i BE-së vjen disa ditë pasi një zyrtar i lartë i SHBA-së paralajmëroi se Uashingtoni beson se Rusia do të kryejë “operacione të informacionit”, që do të kenë për qëllim të kthejnë opinionin në Evropë kundër Ukrainës.

James Rubin, i dërguari i posaçëm dhe koordinator në Qendrën Globale të Angazhimit të Departamentit amerikan të Shtetit, u tha gazetarëve më 18 janar, se kundërshtari i SHBA-së, Rusia, por edhe Kina, po punojnë në mbarë botën për të paraqitur propagandën e tyre shtetërore si gazetari të pavarur, duke fshehur burimin e vërtetë.

Rubin nuk përmendi në mënyrë specifike emrat e shteteve për të cilat ai shprehu shqetësim. Megjithatë, ai tha se kërcënimet kryesore gjatë këtij viti janë në Evropë, e cila në fillim të luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 2022 ishte bashkuar kundër luftës dhe ka ofruar ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër për Ukrainën./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA