ANALIZA/ The Guardian: Megjithëse Trump dominon primaret republikane në SHBA, kjo nuk do të thotë se do të mundë Biden

23/01/2024 16:00

Media duket se po i jep vëmendje avancimit të Trump në primaret republikane, por megjithëse ai pritet të jetë i nominuari i tyre, zgjedhjet e përgjithshme janë një tjetër çështje, shkruan në një analizë e përditshmja britanike The Guardian.

Suksesi i Trump në zgjedhjet e Iowa ka bërë bujë në media pasi la prapa Nikki Haley ndërsa rivali tjetër De Santis është tërhequr nga gara.

Rrjeti CNN quante fitoren e Trump “dërrmuese në Iowa” dhe një “shfaqje habitëse force”.

E përditshmja tjetër New York Times fliste për një “kurorëzim të pritur të Trump” dhe gjithashtu për një “fuqi të makinerisë së tij politike”.

Revista Time përmendte “pozitën komenduese” për të siguruar nominimin republikan, dhe se “asgjë nuk e ndalon dot”.

Titujt e gazetave në SHBA vijonin njëri pas tjetrit me epitete si: “Trump po dominon.” “Disiplinon”, “I pandalshëm”, “Shumë efektiv.”

Por dominimi i Trump nuk duhet të jetë surprizues pasi ai ka kontroluar partinë republikane që prej vitit 2016. Duke vënë në lojë rivalët e tij, duke fajësuar e njollosur këdo i del përpara, duke përbuzur ose bullizuar, ai tërheq vëmendjen e mediave pasi është zbavitës dhe revoltues.

Suksesi Trump javës që shkoi në Iowa nuk ishte një shfaqje “e habitshme force” por ne fakt një shfaqje dobësie, shkruan analiza e Guardian. Ai mori vetëm 56,260 të republikanëve të shtetit, nga një total prej 2,083,979 votuesish të regjistruar.

Sondazhet thonë se vetëm 46% e republikanëve e konsideronjnë veten pjesë e lëvizjes Maga të Trump.

Media duket se harron se Trump ka qenë president për katër vjet dhe kjo ka efektin e saj, jo sepse ai thotë se në fakt i ka fituar dhe zgjedhjet e 2020, por prej faktit se ka qenë president.

Ish-presidentët kanë avantazhin më të madh në partinë e tyre pasi kontrollojnë aparatin, dhe ish-presidentët që kanë shërbyer vetëm një mandat dhe kërkojnë rizgjedhjen, gjithmonë janë nominuar nga partia e tyre, siç ndodhi me Trump në 2020 – e siç pritet të ndodhë në 2024.

Trump ka nisur tentativën e tij të tretë për në Shtëpinë e Bardhë disa ditë pas humbjeve republikane në zgjedhjet e mes-mandatit, dhe për herë të tretë ai me kandidatët e tij përhapnin gënjeshtrën se në fakt i ka fituar zgjedhjet e 2020, duke thënë se ato “u vodhën nga Biden”.

Mahnitja e mediave aktualisht me Trump duke trumbetuar fitoren në Iowa, apo duke ‘dominuar’ sondazhet e në primaret e New Hampshire, po krijon një përshtypje të rreme se Trump do të jetë i pandalshëm deri në fund të zgjedhjeve.

Por nuk duhet ngatërruar performanca e Trump ne partinë e tij, me suksesin në zgjedhjet presidenciale.

Teksa amerikanët fokusohen në zgjedhjen mes Biden e Trump, unë pres që ata të zgjedhin përsëri Biden, shkruan autori i analizës Robert Reich, ish-ministër i punës dhe profesor në University of California.

Edhe nëse Trump nuk merr dënim kriminal, shumica e amerikanëve nuk do të zgjedhin për president një burrë me dhjeta akuza dhe tre procedura shkarkimi nga posti, për tentativë grusht shteti, vjedhje dokumentesh te klasifikuara apo akuza abuzimi seksual./TheGuardian/

FOTO GALERI
1/3
Media duket se po i jep vëmendje avancimit të Trump në primaret republikane, por megjithëse ai pritet të jetë i nominuari i tyre, zgjedhjet e përgjithshme janë një tjetër çështje, shkruan në një analizë e përditshmja britanike The Guardian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA