Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur sot tre muaj mbrojtje të posaçme për gjyqtaren e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, Arnisa Këlliçi.
Gjyqtarja i drejtoi një shkresë KLGJ-së dy ditë më parë, ku e vuri në dijeni se i ka ardhur letër kërcënuese dhe ku kërkoi mbrojtje të posaçme.
“Të nderuar! Para pak ditësh më është bërë me dije nga Kancelari i kësaj Gjykate që kundrejt meje, gjyqtares Arnsa Këlliçi, ka patur një kërcënim me jetë. Për këtë fakt unë nuk kam prova, por më është bërë me dije se ka një kallëzim të depozituar nga ana e Kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Sot më datë 20.01.2024, më ka ardhur një letër kërcënuese, që me aq sa mund të deshifroj përmban kërcënime për mua, fëmijët e mi dhe familjen time. Unë nuk mund të atestoj në asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre. Thënë kjo, për çdo eventualitet, unë kërkoj një mbrojtje të posaçme, për aq sa ju e shihni të nevojshme“-thuhet në kërkesën e gjyqtares.
Muajt e fundit janë dyfishuar truprojat speciale që do të ruajnë prokurorët dhe gjyqtarët që kërcënohen nga krimi apo nga të korruptuarit. Nga 49 forca struktura e re e Njësisë së Mbrojtjes së Veçantë është kthyet në super njësi me 103 persona. Njësia e blinduar që njihet ndryshe si RES, u propozua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe u firmos nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Truprojat e Policisë që do të ruajnë prokurorët dhe gjyqtarët e kërcënuar kanë detyrë të shërbejnë në të gjithë vendin dhe ky ndryshim u aprovua me urgjencë menjëherë mbas kërkesave në rritje për marrjen në ruajtje të njerëzve të drejtësisë. Njësia e Mbrojtjes së Veçantë ka buxhet më vete dhe parashikon një strukturë tjetër speciale njësia operacionale. Shtatë prokurorë dhe gjyqtarë ruhen aktualisht për shkak të kërcënimeve dhe dosjeve të forta që kanë nën hetim.
Top Channel