Pas 8 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte atmosferike dhe gjeografike shumë të vështira, 2 turistë nga Zvicra janë shpëtuar pasi kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në mal.
Rreth orës 21:00, të natës së kaluar, është marrë njoftim se 2 turistë nga Zvicra, kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në malin e Korabit, për pasojë kishin mbetur të izoluar në terrenin e thepisur të malit, në temperatura shumë të ulëta.
Gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm ata janë lokalizuar në vendin e quajtur “Maja e Sokolit”.
Shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse iu kanë shkuar në ndihmë turistëve, duke iu dhënë ndihmën e parë mjekësore, si dhe duke i pajisur me ushqime dhe me veshje.
Gjithashtu, për zbritjen, për shkak të terrenit të thepisur dhe gjendjes shëndetësore të 2 turistëve dhe të 2 punonjësve të Policisë, ka asistuar një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili për shkak të erës së fortë, nuk ka mundur të ulej.
Ka qenë helikopteri më i fuqishëm i KFOR-it i cili ka bërë të mundur transportimin e 4 personave të dëmtuar drejt spitalit, ku po marrin asistencë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Top Channel