Ndihmësekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
Në konferencën për medie pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup, O’Brien tha se SHBA-ja e mbështet fuqishëm marrëveshjen e Ohrit dhe i bëri thirrje palëve të angazhohen në zbatim e saj brenda kornizave të dialogut.
“Ne e mbështesim fuqimisht udhërrëfyesin që është miratuar në Ohër, në marsin e kaluar. Besojmë se të dy shtetet duhet të operojnë brenda dialogut për të zbatuar udhërrëfyesin plotësisht”, tha O’Brien.
Kosova e Serbia janë pajtuar për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë më 18 mars të 2023-s, në Ohër, mirëpo kanë ngecur deri tani në zbatimin konkret të tij.
Top Channel