Turizmi dimëror/ Të huajt vazhdojnë të vizitojnë destinacionet dimërore, operatori: Pjesa më e madhe janë nga shtetet mesdhetare

21/01/2024 13:40

Pasi arritëm të prisnim 10 milionë turistë gjatë vitit që lamë pas, një shifër rekord kjo për vendin tonë, pritshmëritë janë që dhe në 2024 ky rekord të thyhet, me më shumë të huaj që do të vijnë për tu njohur me bukuritë e Shqipërisë.

Janari duket se ka nisur mbarë, pasi turistët kanë zgjedhur që udhëtimet e para të vitit ti fillojnë me Shqipërinë, duke i dhënë hov kështu turizmit malor.

“Situata ka dy vite që ka ndryshuar në mënyrë totale. Deri para dy vitesh ne nuk kishim turizëm malor, sidomos në periudhën janar-shkurt sepse pjesa më e madhe e parave shpenzohen për Krishtlindje dhe vitin e ri por sivjet ka një numër shumë të lartë të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë. Po rendin mbas maleve dhe mbas dëborës dhe kjo është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë”, tha operatori Petrit Picaku.

Italianët nuk mungojnë as në dimër, shumë prej tyre kanë vendosur të pushojnë disa ditë këtu tek ne. E njëjtë si ata kanë bërë dhe shumë të huaj të tjerë. Ata vendosin të vijnë në Shqipëri jo vetëm prej natyrës së që ka vendi jonë, por dhe prej çmimeve më të lira që ofrohen.

“Pjesa më e madhe e turistëve që vijnë në këtë periudhë janë nga shtetet mesdhetare ku nuk ka dëborë. Italianë kemi shumë, edhe spanjollë kemi shumë, po vijnë dhe grek. Ka dhe nga vendet arabe shumë. Pjesa më e madhe janë individual, duke parë dhe cmimet e ulta që ka muaji janar dhe shkurt në Shqipëri ku mund të shkojë dhe 20 euro një dhomë. Ka dhe grupe, jo në numër të lartë. Janë disa grupe që bëjnë xhiron klasike në Shqipëri”, thekson Picaku.

Mungesa e fuqisë punëtore, një ndër problemet kryesore të turizmit veror, nuk haset tani në dimër. Ajo cka duket se ka nevojë për përmirësim është  ngrohja.

“Turizmi malor problemin më të madh ka pasur rrugën e cila sot nuk është më një problem sepse makineritë nga shteti ofrohen dhe pastrohen, kështu që nuk ka më një problem. Problem për hotelet në veri të Shqipërisë ose në malet e Shqipërisë, është infrastruktura e ngrohjes, të cilën ata nuk e kanë sepse nuk kanë qenë të përgatitur për një turizëm të tillë. Pjesa tjetër pastaj është okej. Në malet e Shqipërisë nuk ka probleme për fuqinë punëtore sepse pjesa më e madhe janë hotele të vegjel dhe janë hotele familjare”, tha ai.

Nga ana tjetër, as promovimi i Shqiperisë nga mediat e huajt nuk është ndalur, duke e cilësuar si një nga destinacohet që duhet vizituar gjatë 2024.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA