Me sloganin “Ndal gjenocidit në Palestinë”, mijëra protestues dolën sot në rrugët e Madridit si pjesë e mobilizimit në rreth 90 bashki të Spanjës kundër bombardimeve të Izraelit dhe vdekjeve të palestinezëve në Gaza.
“Jam i lënduar sepse përveçse të vij këtu nuk mund të bëj më shumë. Më lëndon shumë që nuk mund të bëj më shumë” tha një prej protestuesve për rrjetin AFP.
Demonstruesit bënin thirrje për armëpushim në Gaza dhe kërkonin që qeveria e Spanjës të ndalonte lidhjet me shtetin e Izraelit.
Me flamurë palestinezë dhe slogane kundër Izraelit demonstruesit shprehën zemërimin e tyre për gjakderdhjen dhe indiferencën e qeverive perëndimore ndaj gjendjes së rëndë në Gaza.
Zyrtarët thanë se në Madrid, rreth 25,000 njerëz marshuan nga stacioni i Atocha deri në sheshin Cibeles në qendër të kryeqytetit.
Ata i kërkonin qeverisë së tyre të ndalonte tregtinë e armëve me Izraelin ndërsa mbanin pankarta në gjuhën angleze ku shkruhej “Ndalo gjenocidin”.
Demonstratat e thirrura nga platforma “Rrjeti i Solidaritetit” u organizuan gjithashtu në qytete si Barcelonë, Valencia e Sevila, mes të tjerave.
Pas sulmit të Hamas brenda Izraelit më 7 tetor ku raportohet se u vranë mbi 1000 njerez, ushtria izraelitë ka bombarduar e sulmuar Gazën duke vrarë mbi 24,000 njerëz, mes të cilëve shumë gra e të mitur.
Në nëntor Izraeli thirri ambasadorin nga Spanja pas disa komenteve kritike nga kryeministri Pedro Sánchez që tha se “Izraeli nuk po respekton ligjin humanitar në Gaza.”
Ambasadori izraelit është kthyer këtë muaj në Madrid.
Top Channel