Kalldrëmet e Gjirokastrës “marrin jetë”! Rikthehen profesionistët e punimit të gurit për riparimin e rrugëve

20/01/2024 13:14

Përgjatë dy dekadave pas rënies së komunizmit, Gjirokastra ka humbur më shumë se 20 km rrugë të brendshme, të shtruara me kalldrëm.

Braktisja fillimisht e lagjeve më të sipërme  solli edhe degradimin e rrugëve. Më pas për nevoja funksionale shumë prej segmenteve historikë u mbuluan me beton.

Mjeshtrat e punimit të gurit emigruan për të ndërtuar rrugë e shtëpi në Greqi. Ka vetëm pak vite që zhurmat e gurgdhendjes po rikthehen. Zylfo Mahmutaj dhe Adriatik Sulejmani po ndërtojnë një rrugë me kalldrëm në lagjen Varosh të qytetit. Ata të dy pranojnë se profesioni që të jetojë kërkon kalim të njohurive tek më të rinjtë dhe ata aktualisht janë të paktë. Teknika e ndërtimit me dorë dhe sy sipas mjeshtrave merr kohë, kërkon durim dhe sekreti qëndron pas latimit të çdo guri.

“Guri i zi është shumë i vështirë si në skalitje si në vendosje, do shumë saktësi. Është zanat i vështirë dhe brezave vështirë t’jua përcjellim se nuk e duan. Edhe nëse vijnë pesë ditë që na furnizojnë me materiale e bëjnë nga halli se nuk e kanë qejf”, tha Mahmutaj.

“Kam punuar tre vite si punëtor në socializëm. Pastaj ika në emigrim e të njëjtën gjë bëra edhe atje. Tani jam kthyer prapë që të bëjmë kalldrëmet e reja të Gjirokastrës”, u shpreh Sulejmani.

Aq e rrallë ka qenë ta shohësh nga afër teknikën e ndërtimit të kalldrëmit sa që ajo tërheq vëmendjen jo vetëm për të huajt por edhe për vendasit.

“Turistët nga kanë fotografuar e filmuar dhe janë pak të çuditur. Madje një grup italianësh në pazar na thanë pse nuk e prisni gurin me sharrë? Ju thamë që sharra ka plot por nuk bëhet kalldrëmi me sharrë, duam natyralen, origjinalen. Atëherë kuptohet ç’është puna”, thotë Zylfo.

“Edhe turistë vijnë e na shikojnë e na bëjnë foto kurse gjirokastritët që kanë ngelur se të shumtët kanë ikur vijnë dhe shikojnë ndonjëherë rrijnë edhe gjysmë ore e më shumë dhe thonë fjalët më të mira për rikthimin e zanatit”, tha Adriatiku.

Gdhendja e gurit është një profesion i lidhur ngushtë me qytetin. Gjirokastra ka nevojë çdo vit për riparime të shumta në banesa dhe rrugë, mure mbajtëse dhe çati por skuadrat e punimit të gurit janë ende të pakta. Qyteti ka rrjetin më kompleks të rrugëve të brendshme në vend në raport me përmasat me plot 42 km rrugë shumica me kalldrëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA