John Kirby: Shtëpia e Bardhë dhe Izraeli vazhdojnë të kenë pikëpamje të ndryshme për Gazën e pasluftës

20/01/2024 07:12

Shtëpia e Bardhë dhe Izraeli vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje për krijimin e një shteti palestinez, si një objektiv politik për Gazën e pasluftës, tha të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, gjatë një seance informimi për shtypin.

Presidenti Joe Biden dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu diskutuan për këtë çështje gjatë një bisede telefonike të premten, së bashku me përpjekjet për të siguruar lirimin e të gjitha pengjeve që vazhdojnë të mbahen nga Hamasi, si dhe për ndryshimin e strategjisë së Izraelit drejt operacioneve më specifike ushtarake.

Zoti Netanyahu tha të enjten se informoi Shtetet e Bashkuara se kundërshton mbështetjen e hershme të Uashingtonit për krijimin e një shteti palestinez, pasi të ketë përfunduar lufta e Izraelit me Hamasin. Shtëpia e Bardhë mohon që deklarata e zotit Netanyahu të ketë qenë një faktor për kryerjen e telefonatës, që është e para në gati një muaj.

Pak orë pas telefonatës, presidenti Biden nuk i dha shumë rëndësi mosmarrëveshjes me kryeministrin izraelit për një shtet të ardhshëm palestinez. Presidenti u tha gazetarëve të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë se ai beson se “ka disa lloje zgjidhjesh me dy shtete” dhe se zoti Netanyahu mund të jetë i hapur për një prej tyre.

“Ka disa vende që janë anëtare të OKB-së, të cilat… nuk kanë ushtrinë e tyre; disa vende kanë kufizime…”, tha ai. “Kështu që mendoj se ka mënyra se si mund të funksionojë kjo”, tha presidenti Biden, duke ofruar kështu më shumë detaje për bisedat me zotin Netanyahu të bëra deri më tani për të ardhmen e Gazës.

Presidenti Biden hodhi gjithashtu poshtë nocionin se një zgjidhje me dy shtete mes izraelitëve dhe palestinezëve mund të mos arrihet dot me qeverinë aktuale të Izraelit.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse Presidenti Biden beson se zoti Netanyahu mund të bindet që të ndryshojë mendim, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se presidenti ende beson tek “premtimi dhe mundësia” e një zgjidhjeje me dy shtete.

“Ai mendon se do të duhet shumë punë dhe aftësi drejtuese”, tha zoti Kirby. “Ai është i gatshëm të punojë për këtë rezultat”.

Zoti Kirby shtoi se Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Izraelit për të lejuar dërgimin e miellit për popullin palestinez drejtpërdrejt nga porti Ashdod, ndërsa Shtetet e Bashkuara po punojnë nga ana e tyre për linja më të drejtpërdrejta detare për dërgimin e ndihmave në Gazë.

Izraeli nuk e ka konfirmuar vendimin për të lejuar dërgimin e miellit në Gazë, ku Kombet e Bashkuara thonë se ka një rrezik në rritje për zinë e bukës. Qeveria e zotit Netanyahu është e ndjeshme ndaj ndjenjave të publikut, pasi pengjet janë ende në duart e Hamasit.

Presidenti Biden dhe kryeministri Netanyahu gjithashtu diskutuan “përparimin së fundmi për t’u siguruar që të ardhurat e Autoritetit Palestinez mund të përballojnë pagat, përfshirë ato për forcat palestineze të sigurisë në Bregun Perëndimor”, tha zoti Kirby. Ai tha gjithashtu se dy udhëheqësit diskutuan rreth “përgjegjësisë së Izraelit” për të mbrojtur civilët e pafajshëm, ndërsa vazhdon trysninë ushtarake ndaj Hamasit.

Zoti Kirby nënvizoi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për mbrojtjen e vendit aleat, Izraelit, si dhe për të drejtën e tij për të ekzistuar si shtet.

Ndërsa kërkon një shtet palestinez, Shtetet e Bashkuara shpresojnë në të njëjtën kohë të arrijnë një normalizim të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, një arritje kjo e dëshiruar prej kohësh, me pasoja të gjera për ekonominë dhe sigurinë e rajonit.

Sulme të tjera ndaj grupit huthi

Zoti Kirby njoftoi se forcat amerikane bënë tre “sulme vetëmbrojtëse” ndaj objektivave të huthive në Jemen.

“Ky është aksioni i katërt parandalues që ushtria amerikane ka ndërmarrë javën e fundit kundër platformave të nisjes së raketave që ishin përgatitur për të bërë sulme”, tha ai.

Më herët këtë javë, administrata amerikane e ripërcaktoi këtë grup militant të mbështetur nga Irani si një grup terrorist, pasi disa javësh sulmesh me raketa dhe dronë ndaj linjave detare ndërkombëtare në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit.

Huthitë thonë se sulmet e tyre ndaj linjave detare në korridorin e Detit të Kuq synojnë të ndalin luftën e Izraelit ndaj Hamasit në Rripin e Gazës, diçka që zoti Kirby e hodhi poshtë.

“Ideja se kjo ka disi të bëjë me Gazën nuk përputhet me faktet”, tha ai në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës. “Shumica e anijeve që sulmojnë nuk kanë të bëjnë fare me Izraelin”.

Ai nënvizoi se sulmet e huthive nuk luajnë rol në përllogaritjet e administratës amerikane për ta shtyrë Izraelin për vendosjen e një armëpushimi.

Përkeqësimi i sistemit shëndetësor

Të premten në Gazë, ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi njoftoi se 77 persona u vranë gjatë natës dhe dhjetëra të tjerë u plagosën ndërsa forcat izraelite goditën qytetin Khan Younis me sulme ajrore dhe tokësore.

Disa nga sulmet ndodhën pranë spitalit Al-Amal, tha ministria e shëndetësisë.

Përkeqësimi i kujdesit shëndetësor në Gaza është një shqetësim në rritje, tha kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se 24 raste të hepatitit A, një inflamacion i mëlçisë, janë zbuluar në Gazë dhe disa mijëra njerëz kanë marrë verdhëzën, me sa duket të lidhura me raste të padiagnostikuara të hepatitit A.

“Kushtet çnjerëzore të jetesës – pothuajse mungesa e plotë e ujit të pijshëm, tualeteve të pastra, ose pamundësia për të mbajtur pastër mjedisin – do të lejojnë që hepatiti A të përhapet më tej”, paralajmëroi shefi i OBSH-së në një deklaratë në rrjetin X, i njohur më parë si Twitter.

Kushtet çnjerëzore po e bëjnë Gazën një nga vendet më të rrezikshme në botë për fëmijët, tha Ted Chaiban, zëvendës drejtor i UNICEF-it.

Bisedimet ruse për pengjet

Ministria e Jashtme ruse tha të premten se kishte zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me një delegat të organizatës militante Hamas, duke kërkuar lirimin e pengjeve që grupi mban në Rripin e Gazës, përfshirë tre shtetas rusë.

Ministria tha në një deklaratë se Mikhail Bogdanov, zëvendësministër i Jashtëm, kishte pritur anëtarin e Byrosë Politike të Hamasit, Abu Marzouk.

“Gjatë bisedës, fokusi ishte në konfrontimin e vazhdueshëm në zonën e konfliktit palestinezo-izraelit, në sfondin e të cilit kriza humanitare në Rripin e Gazës ka marrë përmasa katastrofike”, tha ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.

“Pala ruse theksoi nevojën për lirimin e shpejtë të civilëve të kapur gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 dhe të mbajtur nga fraksionet palestineze, përfshirë tre shtetas rusë – A. Kozlov, A. Lobanov dhe A. Trufanov”, thuhet në deklaratë.

Izraeli ka thënë se nuk planifikon të pushtojë sërish Gazën në përfundim të luftës me Hamasin, por ka refuzuar të përshkruajë planet për ditën pas mbarimit të luftës.

Kryeministri Netanyahu tha të enjten se Izraeli kishte shkatërruar rreth dy të tretat e njësive luftarake të Hamasit në Rripin e Gazës gjatë më shumë se tre muajve të luftës dhe ai u zotua ta vazhdojë luftën derisa Izraeli të ketë arritur “fitoren e plotë”.

“Ka dy faza në luftime. E para është shkatërrimi i regjimenteve të Hamasit. Ky është kuadri i tyre i organizuar luftarak”, tha zoti Netanyahu.

“Deri më tani, 16 ose 17 nga 24 [regjimentet] janë shkatërruar. Pas kësaj, është [faza] e pastrimit të territorit [nga militantët]. Veprimi i parë është zakonisht më i shkurtër. I dyti zakonisht zgjat më shumë”, tha zoti Netanyahu. “Fitorja do të dojë shumë muaj të tjerë, por ne jemi të vendosur për ta arritur”.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë trysni shtetit hebre për javë të tëra që të kufizojë ofensivën e tij masive në Gaza, për të ulur ndjeshëm numrin e vdekjeve të civilëve në territorin e ngushtë përgjatë Detit Mesdhe.

Izraeli po përpiqet të eliminojë kontrollin e Hamasit mbi Gazën pasi militantët vranë 1200 persona në Izrael në një sulm tronditës më 7 tetor, që gjithashtu i mundësoi Hamasit të merrte 240 pengje.

Operacionet ushtarake ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gazë kanë rrafshuar zona të mëdha të territorit dhe kanë vrarë më shumë se 24,400 palestinezë dhe kanë plagosur të paktën 60,000 të tjerë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës të drejtuar nga Hamasi. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA