Një baba është gjetur i vdekur dje bashkë me dy bijat dhe një tjetër grua në shtëpinë e tij në Norfolk në një zonë të qetë në verilindje të Britanisë.
Trupi i 45 vjeçarit Bartlomiej Kuczynski, u gjet bashkë me ato të dy bijave të tij në shtëpinë në Norwich, bashkë me atë të një gruaje 36-vjeçare ende të paidentifikuar, kur policia hyri me forcë në banesë pas sinjalizimeve të shqetësimit.
Burri i martuar punonte si inxhinier dhe jetonte në Angli prej 20 vitesh. Ai ishte diplomuar në universitetin e teknologjisë në Varshavë.
Zyrtarët thanë se gruaja 36-vjecare e gjetur e vdekur ishte vizitore dhe nuk jetonte në shtëpinë e tragjedisë.
Bashkëshortja me origjinë tajlandeze e Kuczynski, Nanthaka raportohet se nuk është parë prej muajsh nga fqinjët ndërsa raportohet se motra e saj kishte ardhur të jetonte me familjen për të ndihmuar me punët e shtëpisë.
Fqinjët thonin se në periudhën e Krishtlindejve edhe zoti Kuczynski ishte raportuar i humbur, para se të gjendej në një zonë pyjore pranë shtëpisë.
Inspektori i policisë Chris Burgess konfirmonte se kishin kontaktuar më parë me familjen pas raportimit të personit të humbur.
Një nga fqinjët që kërkoi të mos identifikohej, tha asokohe për mediat: “Erdhën pesë a gjashtë makina policie dhe nisën ta kërkonin me dron, para se ta gjenin duke ecur në kodrën më lart. Kunata e tij erdhi për të ndihmuar, por besoj se ai kishte probleme të shëndetit mendor në kohën kur humbi. Njerëzit flisnin sesi nuk ishte mirë me shëndet”.
“Ishin të qetë dhe nuk përziheshin me të tjerët. Është e tmerrshëm që janë përfshirë dhe fëmijët në tragjedi”.
Kisha lokale ishte hapur sot për të bërë homazhe ndaj katër anëtarëve të familjes.
Dioqeza e Norwich shkruante në një njoftim: “Mendimet e lutjet tona janë me të prekurit nga tragjedia në rrugën Costessey.’
Policia tha: “Hetimet tona janë në fazat e para për këtë rast të rëndë e tragjik. Po ndjekim disa linja hetimi por besojmë se është një incident i izoluar”.
Ata shtonin se identifikimi formal ende nuk është kryer pasi vijojnë ekzaminimet e mjekësisë ligjore./DailyMail/
Top Channel