Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore nga radhët e opozitës, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas akuzave të Gazment Bardhit se gjithçka në reformën zgjedhore është një farsë mes mazhorancës dhe grupit Basha.
I ashpër me kolegët demokratë, Alibeaj shprehet se PS dhe segmente të opozitës janë të interesuar ta mbajnë peng këtë proces. Ashtu sikurse Bardhi, edhe Alibeaj apeloi ndaj Kuvendit që t’i rikthejë legjitimitetin reformës zgjedhore.
“Jemi te bindur te vazhdojme rrugen tone per ti siguruar shqiptareve nje reforme zgjedhore, me lista te hapura, barazi vote, votim dhe numerim elektronik dhe voten e diaspores.
Sikunder e shohim qarte edhe ne bashke me shqiptaret se PS dhe segmente te opozites jane te interesuar ta mbajne peng kete proces. Te paret per te siguruar zgjatjen e pushtetit dhe te dytet duke bere lojera qe lidhen me interesa personale.
Kryetarja e Kuvendit duhet te siguroje mbarevajtjen e procesit. E dime shume mire qe shfaqje te tilla te shemtuara jane ne funksion te pushtetit dhe kryeministrit. Por eshte po kaq e qarte qe per kete funksion Edi Rama perdor nje pale qe me bllokimet ne kuvend nuk ka arritur asgje pervec te shtoje arrogancen dhe pushtetin e Edi Rames.
Ne jemi te vendosur per te bere reformen, nese palet e gjejne veten komode ne pengmarrjen qe i bejne shqiptareve ne kete teater te shemtuar e kane gabim. Sepse nuk mund te genjejne me askend me manovra te tilla. Kur banaliteti dhe shfaqjet e shemtuara kane vetem nje qellim. Mbajtjen sa me gjate te pushtetit te Rames dhe pandeshkueshmerise se tij.
Mos harroni: kjo eshte loja e tyre. Rames nuk i intereson ndryshimi i sistemit. Dhe shume kollaj i jepet mundesine t’a serviri sikur kete po e bllokon opozita. Proceset demokratike te vendit nuk mund te mbesin peng disa njerezve qe vendosin interesat e tyre mbi ato te shqiptareve”- tha Alibeaj.
Më herët, Bardhi deklaroi se opozita do të bëjë të pamundurën për një reformë zgjedhore të lirë për qytetarët dhe të mos ketë pazare. Deputeti demokrat e justifikoi bllokimin e punimeve duke theksuar se në atë mbledhje nuk kishte përfaqësues të popullit opozitar dhe se gjithçka ishte një farsë. Sipas Bardhit, demokratët e Rithemelimit nuk pranojnë përfaqësimin në Reformën Zgjedhore nga kolegët demokrat të PD-së zyrtare, pasi nuk kanë besim.
“Ata që përfaqësojnë popullin opozitar sot nuk ishin as në mbledhje. Ata mund të mblidhen te vila e Ramës në Surrel, por jo në Komision pa opozitën. Nuk mund të ndodhë që 7 deputet të kenë 4 anëtarë në komisionin e reformës zgjedhore dhe 56 deputet 3 përfaqësues. Unë e kuptoj që ata mund të kenë probleme me matematikën, por kjo nuk mund të ndodhë”- tha Bardhi.
Top Channel