Nga sot, një rrugë në kryeqytet do të mbajë emrin e albanologut të njohur hungarez, Istavn Schutz, i cili është vijues i traditës së albanologjisë hungareze.
“Jam vërtet i nderuar që me emërtimin e kësaj rruge nderojmë një njeri të madh si Istavn Schutz. Emri i tij i bën nder qytetit, kombit dhe gjuhës sonë. Është një tjetër urë e marrëdhënieve tona shumë speciale me Hungarinë. Ne mund të kemi fe të ndryshme, mund të jemi të ndarë në shtete të ndryshme, por ajo që na bashkon është gjuha”, u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj.
I dërguari me punë i Hungarisë në vendin tonë, Adam Lovassy, vlerësoi raportet miqësore mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Hungarisë nuk kanë qenë kurrë më mirë në dekadat e fundit. Por, për të qenë në majën e marrëdhënieve na duhen njerëz si Istavn Schutz. Unë mendoj se ai është një nga ambasadorët më të mirë të marrëdhënive mes dy vendeve dhe si diplomat i jashtëm i ngarkuar me punë në Shqipëri nuk mund ta imagjinoj një nder më të madh se sa emërtimi i një rruge me emrin e një studiuesi hungarez“, tha ai.
Gergely Schutz, djali i të ndjerit albanolog, Istan Schutz falenderoi kryebashkiaku Veliaj për kujdesin e treguar për të vlerësuar një figurë të tillë.
“Sot po flas këtu si djali i një babai. Një baba që e donte djalin e tij aq shumë saç donte kulturën dhe njerëzit e Shqipërisë. Një baba, i cili solli fëmijët e tij këtu për ta parë dhe përjetuar personalisht. Faleminderit të gjithëve që më ndihmuan për t’u kthyer në Shqipëri, dhe gjithashtu faleminderit edhe për ju, Kryetari i Bashkisë Tiranë, që lejove këtë mrekulli të ndodhë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe zoti e bekoftë Hungarinë dhe zoti e bekoftë miqësinë me Shqipërisë dhe Hungarisë”.
Albanologu Istavn Schutz është dekoruar edhe me Urdhrin “Naim Frashëri” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë për veprimtarinë e tij të gjerë albanologjike.
Top Channel