Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, listoi katër propozimet e Partisë Demokratike për reformën zgjedhore.
Shqiptarët, tha Alibeaj, në një konferencë për shtyp pak minuta para nisjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, duan lista të hapura, votë të barabartë dhe efektive.
“E para çështje ka të bëjë me listat e hapura. Propozimi i PD përcakton se sistemi zgjedhor në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë me lista të hapura. Do të jenë shqiptarët ata që caktojnë se kë të zgjedhin.
E dyta, sistem proporcional: Bazohen në barazinë e votës. Vota e çdo shqiptari në Tiranë, Kukës, Fier të ketë të njëjtën peshë. Është sistemi më i thjeshtë që garanton këtë barazi të votës. Kjo shkon në interesin e shqiptarëve.
E treta, ka të bëjë me votimin dhe numërimin elektronik. Shqiptarët në 2025 meritojnë të votojnë në mënyrë të qartë, të shpejtë, pa rrezikun se vota e tyre do të shpallet e pavlefshme. Garanton edhe nxjerrjen e rezultateve në një kohë të shpejtë.
E katërta, ka të bëjë me votën e diasporës. Ne kemi propozuar që çdo shqiptar që ndodhet jashtë territorit të Republikës ka të drejtë që në zgjedhjet parlamentare të votojë. Është një instrument për t’i bërë shqiptarët që ndodhen jashtë të interesohen për fatin e Shqipërisë“.
Nga konferenca, Alibeaj iu drejtua me një thirrje kolegëve të opozitës:
“Është interesi i opozitës, por edhe shqiptarëve. Duke qenë se në komision, janë të përfaqësuara të gjitha partitë opozitare, besoj se është detyrimi i të gjithëve ne të marrim pjesë në komision dhe të mbrojmë interesin e shqiptarëve. I bëj thirrje kolegëve të marrin pjesë. Ky është një nga instrumentet për t’u përballur me këtë regjim dhe me këtë kryeministër”.
Top Channel