Një konflikt në familjen Hoxha në Rubjekë të Maminasit mes djalit të papunë dhe babait ka degraduar në dhunë ndaj babait dhe kërcënim për ta vrarë atë.
I moshuari i dhunuar është nxjerrë nga banesa, ndonëse policia hasi në kundërshtimin e dhunshëm të Eduart Hoxhës që nuk u dorëzua dhe u mbyll në shtëpi. Në këto kushte, në ndihmë të policisë shkuan forcat e RENEA-s dhe vetëm pas disa orësh negociatash të pasuksesshme, ato ndërhynë me forcë në banesë, duke bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të Eduart Hoxhës nga Rubjeka.
Në një deklartë për mediat, babai i Eduardit ka treguar se si ka ndodhur ngjarja dhe kërkon që ta nxjerrin djalin e tij sepse nuk ka nevojë të qëndrojë në burg, por duhet të kurohet. Sipas tij i biri që jetonte në Itali ishte i papunë prej dy vitesh dhe ka borxhe për të larë.
“Nga Shijaku e kanë çuar në Durrës, Shijaku është ndryshe, nuk e di ai ka nevojë për kurim, jo për ta mbajtur të izoluar, të sforcuar. Ai ishte duke pirë kafe jashtë dhe thikën e përdornim për bukë, kurse sëpatën e pata unë për ta nxjerrë përjashtë. Në atë moment ma kapi nga dora, se çun i ri. Është alamet çuni, gjynah ta mbajnë brenda, po çfarë të bësh. Unë them ta nxjerrin dhe të kurohet, të shkojë tek psikologia, se gazetarët kanë punën e tyre. Ai nuk ka bërë asnjë gjë për komshinjtë, ata kanë nxjerrë fjalë për nënë e vetë dhe e ka këtu në tru.
Ka 5-6 vjet që nuk ka ardhur fare, ka qenë në Itali. Ka dy vite që nuk punon në Itali dhe ka marrë borxh disa lekë. Pati sjellë nja 6 mijë euro dhe i çova unë në bankë. Mora disa në gusht dhe i veçova, mora dhe disa tani, duhet të lajmë shtëpinë, duhet të paguajë disa lekë, se të fal ai tjetri, të fal ditët por jo lekët”, u shpreh 73-vjeçari.
Top Channel