Në të njëjtën linjë, strukturat e antiterrorit kanë hetuar edhe organizata të huaja të cilat drejtohen nga qytetarë me prejardhje nga vendet e botës arabe.
Zyrtarisht dhe publikisht, këto organizata reklamojnë ushtrimin e veprimtarive të bamirësisë. Financojnë qendra apo shoqata vendase dhe në raste të caktuara kanë përmbyllur projekte me institucionet shtetërore shqiptare. Por, një shoqatë me qendër në një vend të Lindjes së Mesme, është hetuar për “Financim të terrorizmit dhe fshehje të ardhurash” nga strukturat e antiterrorit.
“Shteti ka ndërhy dhe ka mbyll mbi 2 mijë shoqata. Që të zhvillohet një element radikal duhen të paktën dhjetë vjet dhe kjo do të thotë se për dhjetë vjet askush nuk është kujdesur që të shohë çfarë ndodh në Shqipëri. Në Shqipëri ndodh se jo se nuk ka kontroll por shteti duhet të monitorojë të ndihmojë të mbështesë komunitete fetare që të shmangen këto probleme të sekteve”– u shpreh Ilir Dizdari, ish-drejtues i Komitetit Shtetëror të Kulteve.
Edhe në këtë rast, hetimet janë pezulluar dhe emri i kompanisë dhe personave nuk mund të bëhen publik deri në një vendim të drejtësisë. Ajo që dihet është se shoqata në fjalë, ka kryer qindra transaksione me kompani vendase të fushave të ndryshme.
Transaksionet lidhen kryesisht me materiale për ndërtimin e xhamive pa leje, financim të objekteve të kultit jashtë ombrellës së komunitetit mysliman dhe shpërndarjen e botimeve me përmbajtje radikale. Në fakt, ndërtimi i objekteve të kultit pa leje, konstatohet edhe te grupimet e tjera fetare.
‘Shpesh janë ndërtuar objekte kulti pa leje, është rasti i kishës në Dhërmi… nuk ishte kishe sepse nuk i kishte elementet historikë… e njëjta histori është me komunitetin mysliman kur janë ndërtuar xhami siç janë ndërtuar pa leje objekte të tjera nga shtetas jo komunitete fetare.. është kaosi që është krijuar pasi shteti nuk e ka kontrolluar territorin’ u shpreh Ilir Dizdari, ish-drejtues i Komitetit Shtetëror të Kulteve
Në një rast, shoqata ka nënshkruar një kontratë-porosi për blerjen e një prone me vlerë plot 3 milionë euro. Ajo që bie në sy është fakti se subjekti nga i cili u ble prona, është një personazh i njohur i botës së krimit. Shtetasi në fjalë është hetuar në kuadër të një grupit të strukturuar kriminale për vrasje.
Ndaj shoqatës së hetuar nga strukturat inteligjente shqiptare, në të shkuarën janë kryer verifikime edhe nga shtete të tjera ku ajo operon. Madje, disa vende e konsiderojnë si organizatë të lidhur me terrorizmin. Referuar të dhënave të cituara në dosjen hetimore, veç transaksionit me subjektin e krimit, shoqata ka firmosur kontrata të tjera për blerje pronash luksoze me vlera miliona euro.
Mbetet e paqartë se cilat janë motivet e blerjes së sipërfaqeve të mëdha të ndërtimit nga shoqata që trumbetojnë veprimtari bamirësie. Ajo që është konstatuar shpesh në të shkuarën është kamuflimi i grupeve radikale përmes metodave të ndryshme.
Shqiptarët për dekada nuk kishin lirinë e besimit. Në demokraci, kjo e drejtë u rifitua. Vlerat e harmonisë fetare kanë dalluar shqiptarët. Vlera të cilat duhet ti përforcojmë e ti ruajmë siç kemi bërë në këto dekada. Liria e besimeve të ndryshme duhet të mbrohet nga shoqëria ku secili të jetojë në harmoni. Por, shoqëria duhet të jetë në alert të fenomeneve që nxisin dhunën dhe konfliktin përmes ndikimit që shpërndajnë grupet e radikalizuara me pushtetin ekonomik…
Top Channel