Qindra qytetarë serbë janë mbledhur pranë stacionit të autobusave në Mitrovicë të Veriut për të nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit aktual të komunës, Erden Atiq.
Grupit i prijnë përfaqësuesit e Listës Serbe. Ata po drejtohen për në sallën e sporteve në këtë komunë ku i pret grupi inicues për peticionin. Mbledhja e nënshkrimeve do të nisë në orën 09:00. Ndërkaq, për të shkarkuar kryetarin duhen 3640 nënshkrime.
Sanja Kërtiniç, një nga nismëtarët e kërkesës për nisjen e peticionit në Mitrovicë të Veriut, njoftoi përmes mediave qytetarët që të marrin me vete dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e peticionit.
Kërtiniç ftoi qytetarët që të nënshkruajnë kërkesën për shkarkimin e kryetarit aktual të komunës, duke u bërë thirrje edhe drejtorëve të institucioneve që financohen nga Serbia dhe punonjësve të këtyre institucioneve, që kanë vendbanim në Mitrovicë të Veriut, të marrin me vete letërnjoftimet dhe të nënshkruajnë peticionin.
Në vendngjarje janë edhe KFOR-i dhe EULEX-i.
Top Channel