Korridori VIII, Balluku inspekton punimet në aksin Elbasan-Qafë Thanë: Po punohet në katër lote

16/01/2024 15:11

Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, punimet janë shtrirë në katër lotet e para. Në lotet tre dhe katër, punimet nisën në fund të vitit të kaluar dhe po ecin me ritme të mira.

Në lotin tre, ku punimet u inspektuan nga Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, po punohet në disa fronte për të bërë të mundur avancimin e punimeve me ritme akoma edhe më të shpejta.

Segmenti shtrihet në një terren kodrinor. Gjeologjia deri më tani ka qëlluar e mirë. Në këtë segment po kryhen disa punime paralel përveç gërmimit dhe mbushjes, po punohet për muret mbajtëse ndërkohë po punojmë në bashkëpunim me OSSH për spostimin e shtyllave të tensionit për të hapur fronin e punës”, tha Berberi, duke sqaruar se në lotin tre punimet nisën në mes të muajit Dhjetor dhe në këto pak ditë janë realizuar 5.5% e tyre. Ndërkohë në lotin dy ecuria e punimeve ka arritur në 25%, për shkak se punimet kanë nisur edhe më herët.

Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi rëndësinë që ka Korridori VIII, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin, pasi do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve duke ulur edhe kostot e qytetarëve.

Padyshim na jep mundësinë që të arrijmë më shpejt në destinacion, duke pasur parasysh që Korridori i VIII do të pasurohet edhe me veprën e re, nga Elbasani deri në Lekaj ose ta themi ndryshe deri në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, ku kryqëzohet me Korridorin Blu, pra me Adriatiko-Jonianin dhe normalisht ajo që është e rëndësishme dhe që duhet thënë është që ne kemi mundësinë kështu që të kemi një rrjet të plotë, i cili do të jetë në shërbim të Portit të Durrësit dhe të Portit të Thatë që kemi të vendosur në Strugë”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal edhe tek bypass-i i Elbasanit, një tjetër projekt i rëndësishëm i cili lidhë disa akse rrugore duke shmangur kalimin përmes qytetit, por duke ndikuar njëkohësisht edhe në zonat përreth.

Bypassi i Elbasanit do të jetë një nxitës i ri i zhvillimit ekonomik për zonën e Elbasanit, Tiranës dhe të gjithë qendrave përreth siç është Cërriku, Peqini, Librazhdi kështu që duke mbyllur dhe atë, duke konkluduar me financimin që ju(ARRSH) keni marrë detyrë të nisin menjëherë negociatën, unë besoj që Korridori VIII do të jetë i kompletuar pastaj do të vazhdojmë patjetër me dizenjimin e përbashkët përsa i përket tunelit, por rëndësi ka që këtu të gjitha segmentet po ecin siç duhet. Qeveria Shqiptare ka bërë të mundur financimin e të gjithë segmenteve dhe çfarë është më e rëndësishmja gjeologjia është e mirë”, nënvizoi Balluku.

Dy lotet e para të aksit Elbasan-qafë Thanë shtrihen përgjatë shtratit të lumit Shkumbin, ndërkohë që lotet tre dhe katër vijojnë përgjatë kodrave në zonën e Murrashit dhe Librazhdit. Loti tre ka një gjatësi prej 2.36 kilomtrash ndërsa gjatësia e lotit katërt është 1.86 kilometra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA