Mbi 400 persona, të rritur e fëmijë, paraqiten pothuajse ccdo ditë në urgjencën e spitalit dhe atë të pediatrisë në Durrës.

Janë kryesisht persona që kërkojnë ndihmën e mjekëve teksa përballen me simptomat e infeksioneve virale në këtë muaj të ftohtë. Vetëm 10 % e rasteve konstatohen të infektuar me Sars-Cov2.

“Është piku i sezonit gripal dhe kjo i atribuohet edhe shtimit të rasteve në urgjencë. Krahas virusit të gripit, kemi dhe virusin Sars-Cov2, të Covidit, që gjithashtu qarkullon në këtë periudhë. Por nuk ka ashpërsinë e viteve të kaluara, vetëm te pacientët e moshuar, ata me sëmundshmëri kronike dhe pacientët me imuno-defiçencë që paraqesin forma të rënda të virusit”, tha Gjergj Qerimi, Shef i Urgjencës SRD.

Sipas shefit të Urgjencës Gjergj Qerimi, virusi i gripit këtë periudhë shfaqet me komplikacione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe me kollë që zgjat disa javë, duke shtuar ndjeshëm numrin e vizitave, krahasuar me sezonet e kaluara.

“Numri i vizitave varion nga 270-290 vizita në 24 orë dhe rastet më të rënda hospitalizohen. Për këtë kategori pacientësh kemi 7-8 shtrime në 24 orë”.

Shtimi i numrit të vizitave në urgjencë sjell dhe ngarkesë e stres tek personeli mjekësor.

“Pacientët, madje dhe ata që nuk paraqesin klinikë të agravuar, paraqiten fillimisht në urgjencë, ndërkohë që duhet të paraqiten tek Mjeku i familjes pasi ai është hallka kryesore. I bëj thirrje pacientëve me klinikë të moderuar që të paraqiten tek mjeku i familjes, pasi një fluks i shtuar shton stresin, ngarkesën e personelit dhe rrit probabilitetin për të sëmurët e tjerë kronikë që të infektohen”.

Në këtë situatë, mjekët tërheqin vëmendjen veçanërisht për të sëmurët kronikë dhe personat me imunitet të ulët që të shmangin orët me temperatura të ulëta dhe vendet me shumë njerëz, si dhe të konsumojnë vitaminë C.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA