Një ditë pas ekzekutimit të mafiozit grek, Vangjelis Zabunis në rrugën “Ilia Iliu” në qendër të Athinës, Top Channel ka mundur të sigurojë edhe pamjet ekskluzive të atentatit të regjistruar nga kamerat e sigurisë.

Kamerat kanë mundur të fiksojnë momentin kur 44-vjeçari hyn në makinën e parkuar. Pas sekonda më pas, afrohet makina e autorëve. Këta të fundit, dalin jashtë dhe qëllojnë dhjetëra herë drejt makinës së Vangjelis Zabunis. I pamëshirshëm në aktin e tij, një nga ekzekutorët hap derën e makinës dhe vazhdon të qëllojë sërish, për të qenë më se i sigurt se Zabunin ka vdekur.
Policia tha se gjeti 97 gëzhoja në vendngjarje dhe se dyshohet që atentatorët të kanë përdorur 3 armë të ndryshme, të paktën 2 kallashnikovë, që u gjetën në makinën e djegur të autorëve) dhe një pistoletë 9 mm.

Zabunis, një eksponent i rëndësishëm i botës së krimit në Greqi, u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Ilia Iliu”, në qendër të Athinës. Pak minuta pas ekzekutimit në dalje të Athinës në vendin e quajtur Hajdari, u gjet i djegur edhe automjeti i autorëve, një fuoristradë e cila rezultonte e marrë me qira, ndërsa brenda mjetit ndodheshin edhe armët e përdorura në vrasje.

Policia beson se njeri ose me shume prej ekzekutoreve janë vrasës me pagesë. Dyshohet qe ata kane mbërritur nga një vend ballkanik, me gjasa nga Shqipëria.

44-vjeçari i kishte shpëtuar një tjetër atentati 3 vite më parë. Por ndryshe nga atëherë, kur autorit iu bllokua arma, këtë herë autorët nuk gabuan. Zabunis ishte arrestuar disa herë dhe ishte në top listën e të dyshuarve për disa sulme ndaj bandave të tjera. Ai merrej edhe me kondrabandë të karburanteve dhe pijeve alkoolike si dhe gjobë-vënie.

Top Channel