Italia refuzon ekstradimin e priftit të akuzuar për vrasje e tortura në Argjentinë

13/01/2024 17:47
Flamuri argjentinas ne sheshin perkujtior '25 de Mayo' ne Saladillo, Buenos Aires

Reverend Franco Reverberi akuzohet për krime kundër njerëzimit gjatë diktaturës ushtarake të viteve 1970-të e 1980-të

Ministria italiane e drejtësisë ka refuzuar kërkesën e Argjentinës për ekstradimin e një prifti të akuzuar për krime kundër njerëzimit, që kishte qenë pjesë e ushtrisë së Argjentinës gjatë viteve 1976-1983.

Reverberi kishte shërbyer si prift i ushtrisë gjatë regjimit ushtarak në Argjentinë, por akuzohet se është përfshirë në vrasje e tortura, si dhe eliminimin e aktivistit politik, 20-vjeçarit José Guillermo Berón në vitin 1976.

Reverberi, i cili ka qytetari të dyfishtë italiane e argjentinase, është larguar nga Argjentinë në 2011 kur nisën gjyqet ndaj ish-anëtarëve të juntës, dhe u kthye në shtëpinë e tij në Parma. Prej atëherë ai ka jetuar i qetë në Itali, ku vijonte të punonte si prift, deri pak kohë më parë.

Ai i mohon akuzat dhe nuk është dënuar nga asnjë gjykatë apo të përjashtohet nga Vatikani, shkruan The Guardian.

Gjykata e lartë italiane kishte konfirmuar ekstradimin e tij në tetor, duke refuzuar kërkesat e priftit.

Por dje ministri i drejtësisë Carlo Nordio, ndaloi ekstradimin me arsye “moshën dhe gjendjen shëndetësore” të Reverberi.

Jorge Ithurburu, kreu i organizatës ‘24 Marzo’ – një OJQ në Romë që përfaqëson të afërmit e viktimave të diktaturës argjentinase, bënte thirrje për gjykim të Reverberi në Itali.

Pas grushtit të shtetit në 1976, ushtria e Argjentinës shtypte çdo opozitë të mundshme dhe rrjedhimisht vrau rreth 30,000 njerëz në vend, shumica e të cilëve civilë të paarmatosur.

Në 1985, dy vjet pas kthimit te demokracia, kreu i juntës Jorge Videla u dënua për abuzime dhe krime kundër njerëzimit.

Por shumë kriminelë që ishin pjesë e regjimit u larguan drejt Italisë duke përfituar nga origjina italiane dhe qytetaria e dyfishtë.

FOTO GALERI
1/3
Por dje ministri i drejtësisë Carlo Nordio, ndaloi ekstradimin me arsye “moshën dhe gjendjen shëndetësore”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA