Në 13 janar votuesit në Tajvan zgjedhin presidentin e ardhshëm të këtij ishulli.
Megjithëse secili kandidat ka punuar shumë për të fituar vota, disa mbeten të pavendosur në këtë garë elektorale në të cilën Kina është një çështje kryesore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee udhëtoi në pjesë të ndryshme të Tajvanit për të dëgjuar mendimet e votuesve. Trafiku rritet në stacionin e trenit, ndërsa njerëzit kthehen për të hedhur votën në qytetin e tyre të lindjes.
“Jam ende duke vendosur”, thotë Lee Jia-yun, banore në Taipei. Ajo është ndër segmentin e votuesve që do të vendosë se kush fiton garën presidenciale.
“Njerëzit shohin më pak shpresë dhe më shumë tension në marrëdhëniet përtej ngushticës detare (me Kinën), kështu që thjesht nuk dinë kë të votojnë”, thotë Chen Fang-yu, profesor i shkencave politike. Tensioni mes Kinës dhe Tajvanit i ka fillimet tek lufta civile kineze. Pas fitores së komunistëve, forcat nacionaliste kineze, Guomindang u larguan drejt Tajvanit. Pekini thotë se Tajvani demokratik është pjesë e Kinës dhe i ka quajtur votimet një zgjedhje mes “luftës dhe paqes”.
“Distanca është shumë e madhe. Edhe nëse Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë, ndoshta nuk do t’ia arrijnë. Së dyti, Kina është një vend shumë i fuqishëm. Pra, është një pikëpyetje e madhe nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të bëjnë një sakrificë kaq të madhe”, thotë Yeh Ping-tai, banor në Taichung.
Megjithëse secili kandidat përpiqet të bindë votuesit se është zgjedhja e duhur për të menaxhuar çështjen e Kinës, disa votues janë skeptikë.
“Nuk po i diskutojnë marrëdhëniet me Kinën me logjikë. Njëra palë po përdor shantazh emocional – se duhet të votosh për të që të jesh i sigurt. Madje mendoj se të dyja palët po përdorin shantazh emocional”, thotë Lee Jia-yun.
Anketimet tregojnë se një e treta e banorëve preferojnë kandidatin Lai Ching-te të Partisë Progresive Demokrate (DPP). Votuesit e kësaj partie janë përgjithësisht të rinj, më liberalë dhe shumica vijnë nga zona jugore më bujqësore e vendit. Presidentja e tanishme Tsai Ing-wen, gjithashtu e partisë DPP, nuk mund të marrë një mandat tjetër, por një votuese thotë se do të donte që politikat e saj të vazhdonin nën drejtimin e presidentit të ardhshëm nga po kjo parti.
“Nën drejtimin e presidentes Tsai Ing-wen, vendi u transformua dhe Tajvani mori rol ndërkombëtar”, thotë Huang Mei, banore në Taipei.
Anketimet tregojnë se një e treta tjetër e votuesve mbështesin kandidatin e partisë KMT, Hou Yu-ih. Mbështetësit e kësaj partie janë më konservatorë, të moshave më të mëdha, intelektualë apo të sektorit financiar dhe në favor të marrëdhënieve më të mira me Kinën, në biznes dhe më gjerë. Pozicioni i kandidatit të kësaj partie është për paqe me Kinën.
“Unë jam brezi i dytë i popullit të ardhur nga Kina, pra ndjenjat e mia për Kinën janë pak më të thella. Nëse do të ketë ndryshime të mëdha, sigurisht që unë mbështes kandidatin që është për paqen në të dyja anët e ngushticës detare”, thotë Yeh Ping-tai. Po kandidati i tretë, Ko Wen-je, i Partisë së Popullit të Tajvanit?
“Brezi më i ri apo punonjësit e sektorit të shërbimeve janë më të pakënaqur me partitë politike aktuale. Kështu që ata mbështesin opsionin e tretë”, thotë profesori Cheng Fang-yu.
Larg nga ritmet e shpejta të jetës në qytete, banorët në Budai përgjatë bregdetit qendror të Tajvanit vazhdojnë të kultivojnë midhje dhe të merren me peshkimin, duke mos i kushtuar shumë vëmendje makinave me slloganet e fushatës. Ata nuk flasin për politikë me miqtë e tyre. Dhe cila është filozofia e tyre?
“Kina juaj është e juaja; Tajvani është Tajvani ynë. Nëse doni të bëni tregti, kjo është e mundshme. Por, Kina nuk duhet ta sulmojë Tajvanin”, thotë peshkatari Chen Guo-wen. Të shtunën votuesit vendosin se kush është kandidati më i mirë për të ruajtur status-quo-në mes Tajvanit dhe Kinës.
Top Channel