Lirohen 15 të shoqëruarit për vrasjen e Sinomatit/ Hetimet nxjerrin tjetër automjet që ndihmoi autorët…

12/01/2024 09:02

Hetimet e policisë së Vlorës vijojnë për vrasjen mafioze të Gëzim Sinomatajt, djalit 22-vjeçar të anëtarit të një bande kriminale në vitin 1997.

Policia nuk ka mundur ende të arrijë gjurmët e vrasësit, por grupi hetimor, ka pikasur një automjet që dyshohet se ka ndihmuar autorët të largohen nga vendngjarja. Sipas bluve, mjeti rezulton i shitur në Vlorë, por pa akt shitje.

Dyshohet se ky automjet në pronësi të një shtetasi nga Elbasani ka larguar autorët nga vendi ku u dogj automjeti tip “BMW” me të cilin u krye atentati mafioz dhe është një indicie e re për të zbuluar autorët që qëlluan me snajper mbrëmjen e 7 janarit, Gëzim Sinomatajn që kishte dalë në ballkonin e banesës për të tymosur një cigare.

I riu vdiq menjëherë, ndërsa autorët pak minuta më vonë dogjën makinën “BMW” në një lagje tjetër të Vlorës. Brenda saj u gjet një bllok betoni, i cili sipas hetuesve ka shërbyer për qëndrimin e armës snajper të ekzekutorit. Hetuesit thonë se pikërisht pasi u dogj automjeti i atentatit, del në skenë automjeti tjetër që largoi autorët.

Për hetuesit, 22-vjeçari Sinomataj mund të jetë objektiv i ngatërruar në ngjarje me xhaxhain Benard Sinomataj, i cili pak muaj më parë i shpëtoi një atentati me tritol në makinë në lagjen Hajro Cakërri, ndërkohë që 22-vjecari i vrarë, nuk është hetuar kurrë për përfshirje në krim.

Pas më shumë se 18 orësh marrje në pyetje, policia e Vlorës po ashtu ka liruar të 15 -të të shoqëruarit për vrasjen e Gëzim Sinomataj, pasi nuk arriti të gjejë asnjë provë të vlefshme për të implikuar personat që blutë kanë skeduar si të dyshuar. Për të zbardhur ngjarjen, hetuesit janë përqendruar tek dosjet e vjetra të krimit në Vlorë, më pasojë vrasje, zhdukje dhe pengmarrje personash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA