Izraeli nuk pranon akuzat e genocidit: As e filluam, as e deshëm në këtë luftë

12/01/2024 17:15

Në ditën e dytë të seancës dëgjimore në Hagë, Izraeli argumentoi përpara gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara se ofensiva e tij në Gaza është vetëmbrojtje legjitime dhe jo genocid.

Duke mbrojtur shtetin hebre nga akuzat e paraqitura prej Afrikës së Jugut në njërin prej rasteve më të mëdha që janë paraqitur ndonjëherë përpara një gjykate ndërkombëtare, avokati Malcolm Shaw e mbrojti shtetin hebre me arsyetimin se përdorimi i forcës së skajshme të armatosur kishte për qëllim vetëmbrojtjen.

Më herët, këshilltari ligjor izraelit, Tal Becker, qe shprehur se vendi është përfshirë në një luftë “ as nuk e filloi, dhe as nuk e deshi ai”.

“Në këto rrethana, vështirë se mund të ketë një akuzë më të rreme dhe më keqdashëse sesa akuza kundër Izraelit për gjenocid”, u shpreh Becker.

Izraeli, i cili u themelua pas Holokaustit, nuk i pranon akuzat dhe po tenton të mbrohet në kohën duke u përqendruar në seancën e sotme tek brutaliteti i sulmeve të Hamasit në 7 tetor e duke paraqitur video dhe audio që tregonin atë që ndodhi atë ditë.

“Ata torturuan fëmijët para prindërve, dhe prindërit para fëmijëve, dogjën njerëz, duke përfshirë foshnje të gjalla, përdhunuan dhe gjymtuan sistematikisht shumë gra, burra dhe fëmijë,” tha Becker.

Avokatët e Afrikës së Jugut i kanë kërkuar gjykatës të urdhërojë ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake të vendit hebre në territorin rrethuar, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Një vendim për këtë kërkesë ndoshta do të marrë javë, megjithëse çështja e plotë ka të ngjarë të zgjasë disa vjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA