Qytetari, që ndërroi jetë në Gjykatën e Tiranës, po hetohej për dhunë në familje.
Avokati i të ndjerit, Ndue Pjetra, i kontaktuar nga gazetarja Anila Hoxha, tregoi se prej tre vitesh klienti i tij hetohej për dhunë, por asnjëherë nuk e kishte pranuar akuzën.
“Ne i kemi pritur këto gjëra. Drejtësia e vonuar kështu do të përfundojë. Deri tani, mbi 13 vetë, klientë të mi, kanë vdekur duke pritur gjyqe. Janë 6-7 vite vetëm nga shkalla e parë në Apel. Gjykatat nuk duhet të shtyjnë gjyqet për muaj me radhë.
Klienti akuzohej për dhunë në familje, që më pas ndryshoi në shkaktim i vetëvrasjes. Procesi nisi në 2020. Sot kisha për ta takuar në gjykatë, sepse pas tre vitesh u kujtuan t’i ngrenë akuzë”, u shpreh Pjetra.
I ndjeri, që pësoi atak në stolin e gjykatës, ishte një nga qindra qytetarë që “vuajnë” stokun e dosjeve në Gjykatën e Tiranës, e cila ndodhet përballë ngarkesave të mëdha, pas procesit të Vetting-ut dhe hartës së re gjyqësore.
Sipas informacioneve, një gjyqtar i vetëm në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës ka firmosur një mijë vendime përgjatë vitit 2023, ndërsa kolegët e tyre të Dhomës civile kanë shqyrtuar deri në 2300 çështje.
Ngarkesa mesatare e një gjyqtari në Dhomën Penale në datën 31 dhjetor 2023, është 250-300 dosje në gjykim, ndërsa ka firmosur 1 mijë vendime përgjatë 2023.
Top Channel