Drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të vendosë masa të përkohshme kundër Izraelit

12/01/2024 22:07

Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve me seli në Londër, tha se ka gjasa që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) të vendosë masa të përkohshme në rastin kundër Izraelit për gjenocid në luftën e tij në Gazë.

Më 11 dhe 12 janar, GJND-ja ka mbajtur seanca dëgjimore pasi Afrika e Jugut dërgoi rastin për gjenocid kundër Izraelit, për luftën në Rripin e Gazës. Afrika e Jugut ka këmbëngulur se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë, por Izraeli ka hedhur poshtë këto akuza, duke shtuar se ofensiva e tij në Gazë është vetëmbrojtje legjitime dhe jo gjenocid.

Afrika e Jugut ka paraqitur një sërë masash të përkohshme, që kërkon që gjykata të miratojë, para së gjithash, ndalimin e menjëhershëm të fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë.

Lufta në Gazë u nxit pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu sulme në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 persona. Izraeli u kundërpërgjigj ashpër, duke vrarë mijëra persona në enklavë, e duke rrafshuar pjesë të mëdha të Gazës.

Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ellis thotë se vendimet e GJND-së janë përfundimtare, por ka pasur raste që shtetet nuk i kanë respektuar ato.

“Ligjërisht, çdo palë, çdo shtet që është palë para GJND-së është i obliguar t’iu përmbahet dhe të zbatojë vendimet e gjykatës. Por, ne e dimë se politikisht kjo nuk ndodh gjithmonë, por ligjërisht ata janë të detyruar ta bëjnë këtë”, thotë Ellis.

Nëse një gjë e tillë ndodh edhe në këtë rast, kjo çështje mund të kalojë edhe te Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, Ellis vë në pah se në këtë institucion të OKB-së është fuqia e vetos, që mund të bllokojë vendimet.

Rasti i Afrikës së Jugut, “kritik”

Radio Evropa e Lirë: Doktor Ellis, tani seancat dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) kanë përfunduar në rastin që u soll para gjykatës nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin për gjenocid në luftën në Gazë dhe për fillim kërkon një pezullim urgjent të fushatës së tij. Çfarë mendimi keni për këto seanca dëgjimore?

Mark Ellis: Mendoj se kjo ishte një seancë dëgjimore jashtëzakonisht e rëndësishme sepse padyshim që komuniteti ndërkombëtar është përqendruar dhe po përqendrohet në atë që po ndodh në Gazë dhe pas sulmeve të tmerrshme të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor, që çuan në një përgjigje të fuqishme nga Izraeli.

Por, unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar me të drejtë është i shqetësuar nëse kjo përgjigje nga Izraeli, që ligjërisht është i lejueshëm sipas konceptit të vetëmbrojtjes, por nëse kjo përgjigje ka shkuar shumë larg në raport me ndikimin mbi civilët në Gazë.

Seanca në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) lidhur me akuzat e Afrikës së Jugut se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë, Hagë 11 janar 2024.

Po ashtu, ka pasur një fokus të madh në obligimet e Izraelit në ndërmarrjen e këtyre veprimeve për t’u siguruar që ata t’iu përmbahen parimeve të dallimit, mbrojtjes së civilëve dhe parimeve të proporcionalitetit, duke siguruar që çfarëdo akti kundër objekteve ushtarake të mos prekin ose të mos kenë ndikim të madh ndaj civilëve.

Pra, ky ka qenë debati i përgjithshëm, por kërkesa e Afrikës së Jugut që iu dërgua GJND-së ishte diçka krejt ndryshe.

Sepse tani Afrika e Jugut po sugjeron se ka dëshmi se Izraeli po kryen gjenocid me veprimet e ushtrisë së tij në Gazë.

Ky është një grup çështjesh dhe pretendimesh shumë të ndryshme sesa thjesht shqetësimet nëse Izraeli po i përmbahet ose jo parimeve të ligjit, ligjit humanitar.

Prandaj, mendoj se rasti i ngritur nga Afrika e Jugut është aq kritik sepse ai fokusohet ndoshta në aktin më të tmerrshëm në të drejtën ndërkombëtare dhe ai është akti i gjenocidit.

Dhe prandaj mendoj se do të ketë një fokus më të madh në atë që kjo gjykatë po bën aktualisht në dhënien e masave të përkohshme.

Kërkesa për ndalimin e ofensivës izraelite, “ngre pyetje interesante ligjore”
Radio Evropa e Lirë: A prisni masa urgjente, të përkohshme?

Mark Ellis: Epo, me gjasë do të ketë masa të përkohshme.

Në aplikimin e saj, Afrika e Jugut ka paraqitur një sërë kërkesash për të vendosur masa të përkohshme kundër Izraelit. Dhe ne e dimë se gjykata e ka bërë një gjë të tillë në të kaluarën, rasti i fundit ishte në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Prandaj, mendoj se ka gjasa që do të vendoset për disa masa të përkohshme. Se çfarë do të jenë ato, ne duhet të presim sepse Afrika e Jugut ka paraqitur një listë të gjatë të kërkesave për masat e përkohshme dhe do të jetë në dorën e gjykatës që të vendosë se cilat prej tyre do t’i mbështesë.

Këshilltari ligjor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, Tal Becker në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në Hagë para seancës dëgjimore të çështjes për akuzat ndaj Izraelit për gjenocid në Gazë, të ngritur nga Afrika e Jugut. 12 janar 2024.

Por, unë do të prisja disa masa të përkohshme, por ato janë sfiduese dhe të ndërlikuara sepse gjykata do të duhet të pranojë se Izraeli është në proces të vetëmbrojtjes nga sulmet fillestare dhe se ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë.

Prandaj, ideja e masave të përkohshme në esencë për të vendosur që Izraeli duhet të ndalojë çdo veprim të mëtejmë ushtarak, ngre disa pyetje interesante ligjore në lidhje me të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.

Prandaj, mendoj se masat e përkohshme do të fokusohen më shumë në idenë e kërkesës ndaj Izraelit që të sigurohet se operacionet e tij që po ndodhin, janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe se ata duhet, veçanërisht sipas Konventës së Gjenocidit, të sigurohen se do t’iu përmbahen atyre kufizimeve që janë të përcaktuara në atë Konventë.

“E vështirë të vërtetohet” akuza për gjenocid.

Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, a po e respektojnë ata të drejtën ndërkombëtare?

Mark Ellis: Duhet t’i bëjmë të qarta disa gjëra që lidhen me këtë. Kjo është kërkesë për masa të përkohshme në lidhje me pretendimet e Afrikës së Jugut se Izraeli po kryen gjenocid. Ka disa çështje këtu që janë të rëndësishme. Një, që është shumë e vështirë që të vërtetojë këtë qëllim specifik, qëllimin gjenocidal që kërkohet sipas Konventës së Gjenocidit.

Është jashtëzakonisht sfiduese të vërtetohet qëllimi specifik për të shkatërruar tërësisht ose pjesërisht një grup etnik kombëtar, duhet të paraqiten prova jashtëzakonisht domethënëse, sepse është një qëllim specifik që është ndryshe nga ai që do të duhej për të vërtetuar krime të tjera.

Serhii Lahovskyi, 26 vjeç, përqafon Ludmyla Verginska, 51 vjeçe, teksa ata vajtojnë për mikun e tyre, Ihor Lytvynenko, i cili raportohet se është vrarë në Buça. Vrasjet e raportuara të civilëve në këtë qytet, presidenti ukrainas ka kërkuar që të njihen si gjenocid.

Pra, nëse kjo gjykatë do të vendosë për këtë, ky vendim nuk do të merret tani. Ai vendim do të paraqitet në gjykimin përfundimtar. Bazuar në historinë e GJND-së, kjo do të kërkonte disa vite.

Pra, gjykata nuk do të bëjë një konstatim nëse sjellja e Izraelit në Gazë përbën ose jo gjenocid. Thjesht, do të shikohet nëse do të ishte apo jo e përshtatshme për të vendosur masa të përkohshme dhe këtë gjë ata do ta bëjnë.

Nuk mendoj se do të dëgjoni gjykatën të bëjë ndonjë sugjerim nëse pretendimet e bëra se Izraeli po kryen gjenocid do të artikulohen ose jo nga gjykata. Nuk mendoj se kjo do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: E kuptoj këtë, por a mundet që gjykata të vendosë për ndonjë masë të përkohshme që nuk përmendet në kërkesë?

Mark Ellis: Masat e përkohshme të paraqitura nga Afrika e Jugut, që i ka kërkuar Afrika e Jugut, janë mjaft të gjera dhe kështu i ofrojnë gjykatës një grup mjaft të gjerë masash të mundshme të përkohshme për t’u zbatuar.

Prandaj, unë dyshoj se nëse kjo do të jetë ajo çfarë ata do të bëjnë, ata do të fokusohen në një-dy, ndoshta tri masa të përkohshme.

Gjykatësit vendës, “element i rëndësishëm” për rastin

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket kësaj, si merret një vendim i tillë në mesin e 17 gjyqtarëve, 15 nga të cilët janë të përhershëm dhe dy të tjerë, një nga Afrika e Jugut dhe një nga Izraeli? A mundet shteti nga vjen gjykatësi të formësojë këtë rast?

Mark Ellis: Sipas rregullave procedurale të gjykatës, Izraeli dhe Afrika e Jugut mund të emërojnë gjykatës ad hoc në këtë rast. Dhe arsyeja pse bëhet kjo është se gjykatësit ad hoc kanë më shumë njohuri të kontekstit dhe pikëpamjet e secilit shtet në lidhje me këto lloj çështjesh janë mjaft të ndërlikuara. Pra, ata shihen si një element i rëndësishëm i burimit të informacionit dhe të kuptimit të çështjes që gjyqtarët e tjerë mund të mos e kenë, por ata inkorporohen në mesin e gjykatësve. Prandaj, i kanë këta gjyqtarë ad hoc.

Pra, përgjigja në pyetjen tuaj, po, mendoj se ata luajnë një rol shumë të rëndësishëm, por ata nuk janë zëri i vetëm. Mendoj se ata do të rrisin diskutimin në këto çështje shumë të ndërlikuara.

Radio Evropa e Lirë: Po gjykatësit e tjerë? E dimë që presidentja e gjykatës është amerikane, zëvendëspresidenti është rus. A mundet rasti të formësohet nga prejardhja e gjykatësve?

Mark Ellis: Mendoj se çdo gjykatë, çdo trup gjykues, veçmas një gjykatë si GJND-ja që ka gjykatës nga vende të ndryshme, do të sjellë një nivel të caktuar të një njëanshmërie politike, jo domosdoshmërish e parë si mbështetje e menjëhershme për njërën ose palën tjetër. Por, çdo gjyqtar ka prejardhjen e tij/saj dhe eksperiencat e veta. Prandaj, ka gjyqtarë të ndryshëm në një rast, sepse në një përbërje e tillë nuk do të vendosin vetëm një ose dy gjyqtarë. Kështu që unë prirem gjithmonë të anoj nga ideja se gjykatësit që zgjidhen në gjykata ndërkombëtare, para së gjithash do të fokusohen në ligj dhe do të ndjekin ligjin gjatë procesit të marrjes së vendimeve, bazuar në argumente dhe bazuar në precedentin e vendosur nga ligji.

Prandaj, unë prirem të besoj se kjo do të ndodhë.

Ligjërisht, “palët obligohen të respektojnë vendimet e GJND-së”
Radio Evropa e Lirë: Doktor Ellis, a është Izraeli i obliguar të respektojë një pezullim urgjent, nëse merret një vendim i tillë, ose të respektojë ndonjë masë tjetër të përkohshme? Dhe çfarë ndodh nëse nuk i respekton?

Lufta Izrael-Hamas

Në këtë rubrikë mund të gjeni lajme, intervista, analiza, video dhe përmbajtje tjetër lidhur me luftën mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez Hamas.

Mark Ellis: Vendimet e nxjerra nga GJND-ja janë të detyrueshme nga të gjitha palët. Dhe kjo bazohet në faktin se GJND-ja është gjykatë e Kombeve të Bashkuara. Prandaj, sikurse anëtarët e OKB-së, shtetet, duhet të respektojnë vendimet e gjykatës në çdo rast në të cilin ajo është palë.

Ju e dini e këto vendime janë përfundimtare. Ato nuk mund të apelohen. Dhe vetë faktin që me nënshkrimin e Kartës, një shteti anëtar thotë se merr përsipër çdo lloj kërkese për të zbatuar vendimet e gjykatës, gjë të cilin Izraeli do të ishte i obliguar që ta bënte.

Në kuptimin e zbatimit, nuk ka shumë mekanizma të zbatimit që do të siguronin që vendet t’u përmbahen këtyre masave të përkohshme.

Dhe sigurisht ne në të kaluarën kemi parë shtete që nuk u janë përmbajtur këtyre masave të përkohshme.
Rasti më i freskët është vendimi i GJND-së kundër Rusisë.

I vetmi hap tjetër që duhet të ndërmerret është që një shtet tjetër mund të kërkojë të sjellë këtë çështje para Këshillit të Sigurimit, i cili ka kompetencat e veta për të vendosur masa shtesë kundër shtetit, në mënyrë që të respektohet vendimi.

Por, siç e dimë, është mjaft politik dhe nuk mendoj se tani mund të ketë ndonjë ndikim.

Ligjërisht, çdo palë, çdo shtet që është palë para GJND-së është i obliguar t’iu përmbahet dhe të zbatojë vendimet e gjykatës. Por, ne e dimë se politikisht kjo nuk ndodh gjithmonë, por ligjërisht ata janë të detyruar ta bëjnë këtë.

Dërgimi eventual i rastit në Këshillin e Sigurimit

Radio Evropa e Lirë: Siç e përmendët, ky rast mund të dërgohet në Këshillin e Sigurimit. Por, në këtë institucion është edhe fuqia e vetos.

Mark Ellis: E saktë. Prandaj kjo është arsyeja që e përmenda mundësinë e transferimit të tij në Këshillin e Sigurimit, nëse në fakt ka dështim të përmbushjes së detyrimeve që i takojnë një shteti pas një vendimi të GJND-së. Por, në realitet kjo nuk do të ketë fare ndikim në këtë rast, për shkak të asaj që sapo e përmendët, do të kishte një veto, ka të drejtë vetoje.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë efektesh mund të ketë kjo edhe për të tjerët? Dhe çfarë lloj mesazhi po i dërgohet botës nëse GJND-ja vendos ose jep atë urdhër dhe më pas ai nuk zbatohet?

Mark Ellis: Pra, këtë dua të them, kjo është një pyetje e mirë… E dini, Konventa e Gjenocidit fokusohet para së gjithash në një vend specifik, dhe në çdo vend që të zbatojë mekanizmat e Konventës, jo vetëm për t’u siguruar që gjenocidi të mos ndodhë, por edhe për të parandaluar gjenocidin dhe për të ndalur çdo hap gjenocidal që ndërmerret. Kjo para së gjithash është përgjegjësia e çdo vendi brenda juridiksionit të tij të brendshëm, brenda kufijve të tij. Por, në përgjithësi ka një ndikim shumë të rëndësishëm në vendet e tjera për shkak të pozicionit të rëndësishëm që luan GJND-ja brenda OKB-së për t’u siguruar që vendimet e GJND-së të respektohen dhe unë nuk po sugjeroj se kjo është e suksesshme gjithmonë. Por, një vendim i GJND-së për masat e përkohshme, mendoj se do të shtonte presion ndaj shteti që është palë, të cilit i është kërkuar që të pranojë masat e përkohshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA