Seanca paraprake për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon, dhe të akuzuarve të tjerë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, u shty për në datën 26 janar.
Shkak u bë fakti se dy nga të dyshuarit nuk kishin marrë njoftim.
Në dhjetor të vitit të kaluar, pas 6 muajsh hetime, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dërgoi kërkesën për të kaluar në gjyq çështjen e ish-kryetarit të bashkisë Durrës, Vangjush Dako dhe 10 presonave të tjerë, të cilët po ashtu akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Akuza ndaj Dakos dhe 10 personave të tjerë lidhet me dy episode, i pari lidhet me pallatin 11 katësh që sipas SPAK ndërtimi i tij ne vitin 2011 ishte tej çdo kriteri, kushti teknik dhe në paligjshmëri çka e ktheu ndërtesën të rrezikshme për tu banuar.
Për shkak të këtyre shkeljeve të kryera edhe nga të dyshuar të tjerë inxhinierë, kolaudues e administratori i firmës, pallati u dëmtua lehtësisht nga tërmeti. mes dhjetëra shkresave të sekuestruara, SPAK veçon tre dokumente të firmosura nga ish-kryebashkiaku, në njërën prej të cilave urdhëronte pezullimin e punimeve në objektin në fjalë dhe në tjetrën miratohej zbardhja e lejes dhe diçka e tillë sipas SPAK provon dijeninë e ish zyrtarit lokal.
Edhe për episodin e dytë mbi projektin “Promenadë Bregdetare” SPAK thekson se hartua me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, duke i shkaktuia shtetit një dëm prej 18 milionë lekë, për të cilat në fillim bashkia Durrës hapi proces ndaj firmës, por më pas juristi i caktuar nga ish kryebashkiaku u tërhoq nga gjykimi. Bashkia Durrës pavarësisht dëmit të konstatuar edhe nga KLSH kreu likuidimin financiar ndaj subjektit privat.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit u arrestua më 6 qershor me urdhër të SPAK.
Top Channel