Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken mbajti sot bisedime me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, vendi i të cilit ka qenë një ndërmjetës kryesor për konfliktin e rëndë në Gaza që ka hyrë tashme në muajin e katërt.
Blinken tha se konflikti Izrael-Hamas “nuk po përshkallëzohet” në Lindjen e Mesme, teksa Izraeli bombardonte sot në jug të Gazës.
“Nuk mendoj se konflikti po përshkallëzohet pasi faktorët rajonalë nuk e dëshirojnë këtë. Izraeli nuk e do, Libani nuk e do këtë dhe mendoj se as Hamas nuk e do”, tha diplomati amerikan, pa përmendur mundësi armëpushimi apo të ndalimit të luftës.
Me vizitën në Egjipt, Blinken mbyll turneun e rajonit, teksa sot Gjykata Ndërkombëtare e drejtësisë dëgjonte argumentet e Afrikës së Jugut që akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza.
Ndërsa i dërguari amerikan në Beirut, Amos Hochstein tha se Libani dhe Izraeli “preferonin një zgjidhje diplomatike” për uljen e përplasjeve në kufi.
Zyra e shtypit të Hamas tha sot se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 62 njerëz në qendrën jugore të Gazës, Khan Yunis.
Qyteti jugor i Gazës, Rafah, në kufi me Egjiptin është i mbushur me rreth 1 milionë të larguar palestinezë nga Gaza, që përpiqen t’i shpëtojnë bombave dhe shkatërrimit në zonat veriore e qendrore.
Top Channel