Greva tre-ditore e makinistëve ndalon trenat në hekurudhat e Gjermanisë

10/01/2024 18:08

Trenat në Gjermani raportohet se kanë ndaluar sot pas nisjes së një greve të punonjësve për rrogat dhe orët e punës.

Greva tre-ditore është shpallur nga sindikata e drejtuesve të lokomotivave GDL, teksa hekurudhat gjermane Deutsche Bahn (DB), kanë ndaluar thuajse të gjithë trenat rajonalë, ato të qyteteve dhe të distancave të gjata.

Zëdhënësja e hekurudhave DB, Anja Broeker tha: “Greva nga sindikata e makinistëve GDL po jep pasoja të ashpra në shërbimet e trenave në Gjermani, na vjen keq për kufizimet”.

Sindikata GDL ka nisur grevën për trenat e mallrave, që prej mbrëmjes së djeshme.

Në debatin e rrogave sindikata GDL kishte bërë dy greva të mëparshme paralajmëruese 24-orëshe.

Greva aktuale thuhet se do të zgjasë deri të premten në ora 18.00

Hekurudhat ishin përpjekur të ndalonin ligjërisht grevën por gjykata urdhëroi se “greva mund të vazhdojë”.

Zhvillimi vjen në kohën e një greve të gjerë të fermerëve gjermanë që kundërshtojnë heqjen e subvencioneve të karburantit nga qeveria, duke bllokuar rrugët e qyteteve me traktorë.

FOTO GALERI
1/3
Greva tre-ditore është shpallur nga sindikata e drejtuesve të lokomotivave GDL

Top Channel